Franca do të përshpejtojë ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç

French President Emmanuel Macron waits for the arrival of a guest at the Elysee Palace in Paris, France, October 12, 2023. REUTERS/Sarah Meyssonnier

22:07 | 25 Janar 2026
E.G

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se dëshiron që qeveria e tij të përshpejtojë procesin ligjor për të siguruar që ndalimi i përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç të hyjë në fuqi përpara fillimit të vitit të ardhshëm shkollor në shtator.

“Truri i fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk është për shitje,” ka thënë Macroni në një video të publikuar vonë të shtunën nga BFMTV, partneri francez i CNN.

“Emocionet e tyre nuk janë për shitje dhe as për t’u manipuluar, qoftë nga platformat amerikane apo nga algoritmet kineze. Ne po i ndalojmë rrjetet sociale për nën-15-vjeçarët dhe do të ndalojmë telefonat celularë në shkollat tona të mesme. Besoj se ky është një rregull i qartë – i qartë për adoleshentët tanë, i qartë për familjet, i qartë për mësuesit”, ka theksuar ai.

Një numër gjithnjë e më i madh vendesh perëndimore po synojnë miratimin e legjislacionit për të mbrojtur të rinjtë nga dëmet e mundshme të rrjeteve sociale, pas ligjit historik të Australisë në dhjetor, i cili ndalon personat nën 16 vjeç të kenë llogari në Instagram, TikTok, Facebook dhe platforma të tjera.

Njoftimi i Macronit erdhi disa ditë pasi qeveria britanike tha se po shqyrton një sërë masash për të mbajtur fëmijët të sigurt në internet, përfshirë ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për nën-16-vjeçarët.

Ndalimi francez po udhëhiqet nga Laure Miller, deputete e partisë Renaissance të Macronit. Në një intervistë për kanalin televiziv të lidhur me parlamentin francez, Miller ka thënë se qeveria duhet të veprojë sepse “aktualisht nuk ka asnjë verifikim real të moshës”.

“Ju mund të vendosni çdo datë lindjeje dhe të hyni në platformë. Ajo që duam t’u imponojmë platformave, duke zbatuar në mënyrë strikte Aktin Evropian për Shërbimet Digjitale (DSA), është verifikimi i vërtetë i moshës kur hyn në një rrjet social. Kjo ndryshon gjithçka, sepse përdoruesit do të duhet realisht të provojnë nëse janë mbi apo nën 15 vjeç,” ka thënë ajo.

Duke pranuar se do të ketë “gjithmonë mënyra” për t’i anashkaluar kufizimet, ajo ka shtuar se Franca duhet “të paktën të hedhë hapin e parë kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të miturve në internet”.

Pas ndalimit në Australi, më shumë se 4.7 milionë llogari në rrjetet sociale, të cilat vlerësohej se i përkisnin personave nën 16 vjeç, janë çaktivizuar ose hequr, ka bërë të ditur muajin e kaluar kryeministri, Anthony Albanese.

Në atë kohë, Albanese i ka thënë CNN-it se qeveria e tij e kishte zbatuar ndalimin sepse “ne e dimë se po shkaktohet dëm shoqëror dhe, për rrjedhojë, kemi përgjegjësi si qeveri t’u përgjigjemi thirrjeve të prindërve, si edhe fushatës së të rinjve që thonë: na lini thjesht të jemi fëmijë”.

Një shtysë për ndalimin australian ishte libri i psikologut social amerikan Jonathan Haidt, i botuar në vitin 2024. Kur bashkëshortja e kryeministrit të Australisë Jugore, Peter Malinauskas, lexoi librin “The Anxious Generation” – i cili argumenton se rrjetet sociale kanë dëmtuar shëndetin mendor të fëmijëve, ajo filloi t’i jepte burrit të saj çdo mbrëmje një përmbledhje të përmbajtjes. “Më mirë bëj diçka për këtë,” i kishte thënë ajo Malinauskasit, i cili më pas ka porositur hartimin e një projektligji mbi zgjidhjet e mundshme në nivel shtetëror, që më vonë u shndërrua në një fushatë federale.