Forcat e Ukrainës po vazhdojnë rezistencën në qytetin Pokrovsk

14:51 | 9 Dhjetor 2025
E.G

Ukraina vazhdon rezistencën në Pokrovsk, pavarësisht pretendimeve të fundit të presidentit rus Vladimir Putin se forcat ruse e kanë marrë kontrollin e qytetit. Edhe pse Ukraina ka humbur terren në këtë zonë strategjike në lindje, autoritetet ushtarake theksojnë se luftimet vazhdojnë dhe se qyteti nuk ka rënë.

Pokrovsk konsiderohet një pikë kyçe për Rusinë në përpjekjet e saj për të marrë të gjithë rajonin e Donbasit, ndërsa për Ukrainën është dëshmi se ende është në gjendje të rezistojë.

Në një pikë komanduese ukrainase, larg vijës së parë të frontit, urdhrat transmetohen me shpejtësi përmes radios. Ushtarët monitorojnë dhjetëra pamje të drejtpërdrejta nga dronët, teksa koordinojnë goditjet ndaj pozicioneve ruse brenda qytetit, raporton BBC.

Komandanti i Regjimentit Sulmues “Skala”, Yuri, u shpreh për BBC-në se dëshiron të provojë se Ukraina kontrollon ende pjesën veriore të Pokrovskut, duke kundërshtuar pretendimet e Kremlinit për pushtimin e qytetit.

Përmes radios, dy ushtarëve u kërkohet të dalin nga një ndërtesë për të valëvitur flamurin ukrainas. Ata lëvizin me shpejtësi për të mos u vërejtur. Pamjet e dronit tregojnë momentin kur ata ngrejnë flamurin verdhë e blu, përpara se të rikthehen menjëherë në pozicionet e tyre.

“E patë me sytë tuaj,” thotë Yuri. Sipas tij, është thelbësore që bota të shohë se Ukraina nuk heq dorë nga territori i saj. “Nëse nuk e dëshmojmë këtë, bota humb besimin dhe ndalon së ndihmuari Ukrainën,” shton ai.

Beteja për Pokrovskun – dikur një nyje e rëndësishme logjistike e ushtrisë ukrainase – po vazhdon prej gati 18 muajsh. Qyteti tanimë është shndërruar në rrënoja, ndërsa mbetet e paqartë se sa gjatë Ukraina mund të mbajë pozicionet.

Sipas analizave të avancimeve ruse, forcat ukrainase po e ruajnë me vështirësi kontrollin. Rusia ka avancuar gradualisht nga jugu, ndërsa Ukraina këmbëngul se kontrollon veriun deri te linja hekurudhore që e ndan qytetin.

Sasha, një komandant batalioni 25-vjeçar, i tregon BBC-së një hartë ku figurina plastike të gjelbra tregojnë pozicionet ukrainase, ndërsa ato kafe paraqesin forcat ruse. Ai shpjegon se rusët po përdorin grupe të vogla prej 2–4 personash që tentojnë të depërtojnë në vijat ukrainase, nganjëherë të veshur si civilë.

“Është një taktikë e mirë për t’u futur pas vijave tona dhe për të krijuar epërsi,” tha Sasha. “Por sapo dikush depërton, identifikohet shpejt – zakonisht brenda 15 deri në 20 minutash nga zbulimi deri në neutralizim.”

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme