Fati i karrierës së Zv.Prokurorit të Përgjithshëm Rosenstein

20:33 | 22 Shtator 2018

Karriera e Zv.Prokurorit të Përgjithshëm, Rod Rosenstein, i cili sipas një artikulli të gazetës “The New York Times” pati diskutuar gjatë një takimi mundësinë e regjistrimit fshehurazi të bisedave me Presidentin Donald Trump dhe mundësinë e largimit të tij nga posti, mund të varet nga rrëfimi i një ish-zyrtari të FBI-së, për të cilin Presidenti Trump pati shkruar dikur se ai “GËNJEN! GËNJEN! GËNJEN!”.

Mbrëmë, Presidenti Trump tha se në Departamentin e Drejtësisë ka një “erë të qelbur” të cilën “do ta eliminojmë”. Megjithatë, Presidenti nuk përmendi emra personash.

Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Rod Rosenstein hodhi dje poshtë shkrimin e gazetës “The New York Times”, sipas të cilit ai kishte sugjeruar që Presidenti Donald Trump të inçizohej fshehtas dhe kishte diskutuar mundësinë që të përdorej amendamenti i 25-të për ta shkarkuar Presidentin, si të paaftë për të qeverisur.

Zoti Rosenstein publikoi një deklaratë të premten ku thuhej: “Artikulli i gazetës ‘New York Times’ është i pasaktë dhe jokorrekt. Nuk do të bëj komente të tjera për një artikull që mbështetet në burime anonime, që është e qartë se kanë një prirje kundër Departamentit të Drejtësisë dhe avancojnë axhendën e tyre personale. Por më lejoni të jem i qartë: duke u nisur nga komunikimet e mia personale me presidentin, nuk ka bazë për të përdorur amendamentin e 25-të”.

Një burim që ishte në dhomë gjatë takimit kur zoti Rosenstein bëri komentin për inçizimin e presidentit, i tha Zërit të Amerikës se komenti ishte bërë me ironi. Ai tha se “nuk ishte diskutuar asnjëherë me qëllimin për të regjistruar një bisedë me presidentin”.

Në shkrimin e botuar të premen nga “New York Times” thuhej se Rosenstein i bëri sugjerimet në pranverë të vitit 2017, gjatë tensioneve të shkaktuara nga shkarkimi i drejtorit të FBI-së, James Comey. Gazeta thotë se zoti Rosenstein i bëri komentet në takime dhe biseda me zyrtarë të tjerë të Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së.

“New York Times” citon disa vetë që përshkruajnë këto episode, duke shtuar se burimet kishin insistuar të mbeteshin anonime.

Ndërkohë, gazeta “Washington Post” ia atribuon burimin e lajmit shënimeve të mbajtura në atë kohë nga drejtori në detyrë i FBI-së Andrew McCabe.

Zoti McCabe u shkarkua në fillim të këtij viti dhe një juri e madhe po shqyrton ngritjen e akuzave ndaj tij për një çështje që lidhet me mashtrim të hetuesve dhe rrjedhje informacioni kur ai punonte në Departamentin e Drejtësisë.

Sipas avokatit të tij, shënimet iu dorëzuan Prokurorit të Posaçëm Mueller para një viti, por një kopje e tyre mbeti në posedim të FBI-së. Avokati tha se nuk e dinte se si ato përfunduan në duart e medias./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara