Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e priti në një takim liderin palestinez Mahamoud Abbas, për të biseduar për konfliktin në Rripin e Gazës, tha Presidenca turke.
Zyra e Erdoganit tha të mërkurën vonë se dy liderët biseduan për “masakrat që po i kryen Izraeli në territoret palestineze” dhe për “hapat që duhet të ndërmerren për një armëpushim të përhershëm dhe për paqe”.
Sipas komunikatës, Erdogani u zotua për ta vazhduar mbështetjen për “kauzën e drejtë të Palestinës” dhe për të punuar për “rritjen e trysnisë së bashkësisë ndërkombëtare ndaj Izraelit… posaçërisht nga bota islamike” për dërgimin e ndihmave humanitare dhe për sigurimin e paqes.
Abbas mbërriti në Ankara të mërkurën për një vizitë, e cila po ndodh në një kohë kur Irani ka kërcënuar se do të hakmerret kundër Izraelit për vrasjen në Teheran të Ismail Haniyeh – liderit politik të Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Kërcënimi i Iranit i ka rritur druajtjet për përhapjen e luftës në gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.
Erdogan, një mbështetës i madh i Hamasit dhe i kauzës palestineze, e ftoi Abbasin pasi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e mbajti një fjalim në Kongresin amerikan në korrik. Lideri palestinez pritet të mbajë fjalim në një seancë speciale në Parlamentin e Turqisë të enjten.
Për dallim nga vendet perëndimore, Erdogani e ka lavdëruar Hamasin, duke e quajtur atë lëvizje çlirimtare. Ai madje e ka mirëpritur Haniyehun disa herë në Turqi.
Abbasi, i cili jeton në Ramallah në Bregun e okupuar Perëndimor, është president i Autoritetit Palestinez, i cili është lënë mënjanë prej se nisi lufta në Gazë, kur militantët e Hamasit e sulmuan Izraelin në jug në tetor, duke i vrarë 1.200 njerëz dhe rrëmbyer rreth 250 të tjerë.
Përveç mbështetës i Hamasit, Erdogani ka qenë edhe ndër kritikët më të mëdhenj të operacioneve të ushtrisë izraelite në Gazë, duke e akuzuar Qeverinë izraelite për kryerjen e gjenocidit dhe duke e krahasuar Netanyahun me Adolf Hitlerin.
Vrasja e Haniyehut më 31 korrik në Iran nga një sulm i supozuar izraelit, e cila ndodhi pak pasi një komandant i lartë i Hezbollahut u vra në Liban, i ka përshkallëzuar tensionet rajonale, dhe frikën se Irani do të përgjigjet.
Pak para mbërritjes së Abbasit në Turqi, ambasadori amerikan në Turqi, Jeffry Flake, tha se Uashingtoni po e kërkon ndihmën e Turqisë dhe qeverive të tjera mike të Teheranit, për shtensionimin e situatës./rel/
Fushata kundër shpejtësisë së rrezikshme, policia ligjëron p...
Kylian Mbappé rrezikon të mungojë ndaj Benfica për shkak të ...
Mbi 3,200 persona lirohen pas amnistisë në Venezuelë
Të paktën 73 persona u vranë në përpjekje për ta kapur “El M...
Arrestohen dy persona për vjedhje të rënda në Prishtinë
Dialogu Kosovë–Serbi, Vuçiq takohet sot me Sorensen