CNN: Irani e ka filluar vendosjen e minave ujore në Ngushticën e Hormuzit

21:52 | 10 Mars 2026
Q L

Irani ka filluar që të vendosë mina ujore në Ngushticën e Hormuzit, rruga më e rëndësishme ujore në botë për transportin e dërgesave të energjisë, nëpër të cilën kalon rreth një e pesta e naftës së papërpunuar, sipas dy personave të afërt me raportimin e inteligjencës amerikane për këtë çështje.

Procesi i minimit ende nuk është i gjerë, pasi ditëve të fundit janë vendosur vetëm disa dhjetëra mina, thanë burimet. Megjithatë, Irani ende ka 80 deri në 90 për qind të barkave të vogla dhe anijeve për vendosjen e minave, tha njëri nga burimet, prandaj forcat iraniane mund të vendosin qindra mina ujore në ngushticë, raporton televizioni CNN.

Roja Revolucionare e Iranit, e cila tani praktikisht e kontrollon Ngushticën e Hormuzit bashkë me forcat e rregullta detare iraniane, ka kapacitete për të dislokuar pajisje për vendosjen e minave në mënyrë të shpërndarë, barkave të ngarkuara me lëndë shpërthyese dhe bateri raketore me bazë në bregdet, ka raportuar më parë televizioni amerikan.

Roja Revolucionare më parë ka paralajmëruar se cilado anije që kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit do të sulmohet dhe ky kanal ka qenë praktikisht i mbyllur që nga fillimi i luftës.

Gjendja e ngushticës televizionit CNN i është përshkruar si “lugina e vdekjes”, duke i marrë parasysh rreziqet për të kaluar nëpër të.

Zyrtarët amerikanë të martën thanë se forcat detare amerikane nuk kanë përcjellë ndonjë anije për të kaluar nëpër ngushticë, edhe pse presidenti Donald Trump tha të hënën se administrata e tij ishte duke shqyrtuar opsione për të bërë një gjë të tillë.