Britania shkurton fondet kundër ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor

17:48 | 20 Dhjetor 2025
E.K

Qeveria britanike ka ulur ndjeshëm fondet kundër ndikimit rus dhe dezinformimit në Ballkanin Perëndimor. Ajo ka shkurtuar rreth 40% të buxhetit të dedikuar për këtë rajon, i cili nga vetë kryeministri Keir Starmer është cilësuar si jetik për sigurinë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar.

Financimi britanik për Ballkanin Perëndimor është reduktuar nga 40 milionë paund vitin e kaluar në 24 milionë paund për periudhën 2025–2026. Fondet ishin parashikuar për të përballuar kërcënimet që lidhen me agresionin rus, sulmet kibernetike dhe fushatat e dezinformimit në rajon.

Shkurtimi prek Fondin e Integruar të Sigurisë (ISF), i cili synon adresimin e kërcënimeve më të larta ndaj sigurisë kombëtare të Britanisë, brenda dhe jashtë vendit.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor përfshin Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Vitit e kaluar, fondet e ISF-së u përdorën për të kundërshtuar sulmet kibernetike keqdashëse, për të mbështetur institucionet demokratike dhe për të forcuar median e pavarur në rajon”, shkruan The Guardian.

Sipas të dhënave zyrtare, Ndihma Zhvillimore (ODA) për Ballkanin Perëndimor është ulur nga 31.9 milionë paund në 17 milionë paund, ndërsa edhe fondet jo-zhvillimore kanë pësuar shkurtim. Këto masa janë pjesë e planit të qeverisë britanike për të reduktuar ndihmën zhvillimore nga 0.5% në 0.3% të të ardhurave kombëtare deri në vitin 2027.

Kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin britanik, Emily Thornberry, paralajmëroi se Ballkani Perëndimor ndodhet në vijën e parë të përballjes me dezinformimin rus. Ajo theksoi se nevojitet më shumë mbështetje për median e pavarur, jo më pak, pasi qytetarët kanë vështirësi të aksesojnë informacion të besueshëm.

Edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare kanë shprehur shqetësim, duke paralajmëruar se shkurtimet rrezikojnë të dobësojnë parandalimin e konflikteve dhe ndërtimin e paqes në një rajon të brishtë.

Nga ana tjetër, qeveria britanike u shpreh se këto shifra përfaqësojnë vetëm një pjesë të investimeve totale të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se fondet e ISF-së ndryshojnë sipas prioriteteve të sigurisë kombëtare.