Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken deklaroi të mërkurën se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë sprova “më e madhe gjeopolike” e shekullit.
Në fjalimin e tij të parë madhor mbi politikën e jashtme, zoti Blinken tha se admininistrata e Presidentit Biden do të “menaxhojë” lidhjet me Kinën “nga pozita e fuqisë”.
“Kjo kërkon angazhim në diplomaci dhe organizatat ndërkombëtare, sepse atje ku jemi tërhequr, Kina ka mbushur boshllëkun”, tha zoti Blinken gjatë një fjalimi në Departamentin e Shtetit.
Kryediplomati amerikan tha se Uashingtoni do të vazhdojë të konkurrojë, bashkëpunojë dhe nëse është e nevojshme do të jetë “kundërshtar” me Kinën, të cilën e quajti “i vetmi vend me fuqi ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe teknologjike që mund të sfidojë seriozisht sistemin e qëndrueshëm dhe të hapur ndërkombëtar – të gjitha rregullat, vlerat dhe marrëdhëniet që e bëjnë funskionimin e botës ashtu siç duam ne”.
Fjalimi i kryediplomatit Blinken shpaloi strategjinë e Presidentit Biden për të “ripërtërirë fuqinë e Amerikës” në arenën globale, me premtimin për të “udhëhequr me diplomaci”.
Gjatë gjithë precidencës së tij, pararendësi i zotit Biden, Presidenti Donald Trump zhvilloi një luftë të ashpër tregtare me Pekinin, këmbëngulur në pretendimin se koronavirusi e kishte origjinën nga një laborator në qytetin Wuhan të Kinës, dhe sfidoi kontrollin ushtarak të Pekinit në zonën e Detit të Kinës së Jugut ku kanë pretendime disa vende rajonale.
Dezinformimi për COVID-19
Zoti Blinken tha se mes synimeve kryesore të politikës së jashtme të administratës së Presidentit Biden përfshihet edhe puna për të frenuar pandeminë globale të koronavirusit, ndërtimi i një ekonomie globale më gjithëpërfshirëse dhe trajtimi i kërcënimit global në rrije ndaj demokracisë që u ndez edhe më shumë nga pandemia.
“Erozioni i demokracisë nuk po ndodh vetëm në vende të tjera. Po ndodh gjithashtu këtu në Shtetet e Bashkuara. Dezinformimi është i shfrenuar këtu. Racizmi strukturor dhe pabarazia e bëjnë jetën më të vështirë për miliona njerëz. Udhëheqësit e zgjedhur u vunë në shënjestër gjatë sulmit në Kapitol dy muaj më parë”, tha zoti Blinken. “Tani popuj të tjerë shikojnë nga ne për të parë nëse demokracia jonë është e fuqishme, nëse ne do të arrijmë t’i përballojmë sfidat në vend”.
Ripërtëritja e marrëdhënieve
Riparimi i marrëdhënieve me aleatët, trajtimi i ndryshimeve klimatike dhe fuqizimi i një “revolucioni të gjelbër energjetik” janë po ashtu në listën e përparësive të politikës së jashtme të Presidentit Biden, ashtu siç është edhe ruajtja e epërsisë në teknologji.
“Ne duam që Amerika të ruajë avantazhin shkencor dhe teknologjik sepse është kritike që ne të lulëzojmë në një ekonomi të shekullit 21. Por ne e dimë që teknologjitë e reja nuk janë automatikisht të dobishme”, tha zoti Blinken. “Ne duhet të sigurohemi që teknologjitë mbrojnë privacinë tuaj, e bëjnë botën më të sigurtë, më të shëndetshme dhe e bëjnë demokracinë më të fuqishme.”
Kryediplomati amerikan tha muajin e shkuar se administrata e Presidentit Biden do të kërkojë gjithashtu të forcojë dhe zgjasë marrëveshjen bërthamore të arritur mes Iranit dhe fuqive botërore./VoA/
Sekuestrohet kokainë në një lokal në Kukës, arrestohet prona...
Milani merr vendim rreth të ardhmes së Luka Modricit
Sekuestrohen mbi 25 kg ari në Pejë, evidentohen shkelje të s...
Maqedonci diskuton bashkëpunimin ushtarak me Kroacinë dhe Sh...
BE mirëpret ratifikimin e Planit të Rritjes: 882 milionë eur...
Merz: Duam ta bëjmë Bundeswehr-in ushtrinë më të fortë në Ev...