Biden: SHBA do të mbrojë Tajvanin nëse sulmohet nga Kina

08:36 | 22 Tetor 2021

Presidenti, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara do t’i dilnin në mbrojtje Tajvanit, nëse sulmohet nga Kina.

“Po, jemi zotuar për këtë”, tha Biden në një takim me qytetarë, që u transmetua drejtpërdrejt nga rrjeti televiziv CNN.

Deklarata e tij është në kundërshtim me politikën afatgjate të SHBA-së për ta ndihmuar Tajvanin në ndërtimin e mbrojtjes së tij, por jo për ta ndihmuar atë ushtarakisht në një konflikt të mundshëm, shkruan cnn transmeton arbresh.info

Deklarata po ashtu vjen më pak se dy muaj pas tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani. SHBA-ja ka qenë 20 vjet e angazhuar ushtarakisht në këtë vend.

Presidenti iu përgjigj një anëtari të audiencës, i cili pyeti nëse Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje të vazhdojnë të përballojnë zhvillimin e shpejtë ushtarak të Kinës.

“Mos u shqetësoni nëse ata do të jenë më të fuqishëm. Kina, Rusia dhe pjesa tjetër e botës e dinë që ne kemi ushtrinë më të fuqishme në historinë e botës”, tha Biden.

“Unë dua që Kina ta kuptojë se ne nuk do të tërhiqemi”, tha presidenti, për të shtuar se ai nuk do që të nisë Luftë të re të Ftohtë me Kinën.

Tensionet midis Tajvanit dhe Kinës janë rritur kohëve të fundit, sidomos për shkak të inkursioneve kineze në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit.

Tajvani e konsideron veten shtet sovran, por Kina e sheh atë si provincë të shkëputur. Pekini nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës për të arritur bashkimin.

Ministri i Mbrojtjes i Tajvanit, Chiu Kuo-cheng, tha në fillim të këtij muaji se marrëdhëniet midis Tajvanit dhe Kinës janë në nivelin më të keq të tyre në më shumë se 40 vjet. Ai parashikoi se Kina do të jetë në gjendje ta pushtojë Tajvanin deri në vitin 2025.

Kina thotë se Tajvani është çështja më e ndjeshme dhe më e rëndësishme në lidhjet e saj me Shtetet e Bashkuara dhe ka dënuar, siç ka thënë, “bashkëpunimin e fshehtë” midis Uashingtonit dhe Taipeit. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara