BE planifikon rregullore të re për mediet sociale dhe mbrojtjen e fëmijëve

12:54 | 12 Maj 2026
E.K

Bashkimi Evropian po punon për rregullore që synojnë kontrollin e modeleve të biznesit të mediave sociale, me qëllim mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve, tha të martën Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ajo u shpreh në një fjalim në Kopenhagen se dëmet që u shkaktohen fëmijëve dhe të rinjve nga ekspozimi ndaj mediave sociale nuk janë aksidentale, por rezultat i modeleve të biznesit që e trajtojnë vëmendjen e tyre si një mall.

Von der Leyen shtoi se BE-ja po synon konkretisht platformat TikTok, X dhe Meta, përfshirë Instagram dhe Facebook.

Ajo theksoi se po merren masa ndaj TikTok për dizajnin që krijon varësi, si lëvizja pa fund, luajtja automatike dhe njoftimet “push”. Sipas saj, e njëjta gjë vlen edhe për Meta, pasi Instagram dhe Facebook nuk po zbatojnë moshën minimale prej 13 vjeç.

Komisioni ka nisur gjithashtu procedura ndaj platformës X për përdorimin e mjetit të inteligjencës artificiale Grok për krijimin e imazheve seksuale të grave dhe fëmijëve.

Më vonë gjatë këtij viti, Komisioni Evropian pritet të synojë edhe praktika të tjera të dizajnit që krijojnë varësi dhe janë të dëmshme, si kërkimi i vazhdueshëm i vëmendjes, kontratat komplekse dhe kurthet e abonimeve.

Von der Leyen gjithashtu mbështeti rregulla më të rrepta që mund të kufizojnë aksesin në mediat sociale për adoleshentët nën një moshë të caktuar, duke theksuar: “Pyetja nuk është nëse të rinjtë duhet të kenë akses në mediat sociale, por nëse mediat sociale duhet të kenë akses tek të rinjtë.”

Shpërndaje në rrjete sociale