BE-ja synon kufizime të reja ndaj eksportit të teknologjive për dronët në Iran

18:42 | 20 Janar 2026
Q L

Bashkimi Evropian ka propozuar të martën ndalimin e eksportit të më shumë teknologjive për dronë dhe raketa drejt Iranit, pas shtypjes vdekjeprurëse të protestuesve, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Evropa qëndron në solidaritet të plotë me gratë dhe burrat e guximshëm të Iranit, të cilët po rrezikojnë jetën e tyre për të kërkuar liri për veten dhe për brezat e ardhshëm”, shkroi von der Leyen në X.

“Sot, ne po propozojmë ndalimin e eksporteve shtesë të teknologjive jetike për dronë dhe raketa”, shtoi ajo.

Von der Leyen tha se BE-ja po përgatit gjithashtu sanksione të tjera ndaj atyre që janë përgjegjës për “shtypjen e vazhdueshme dhe brutale” të protestave që tronditën Republikën Islamike.

Protestat disajavore ishin sfida më e madhe me të cilët është përballur udhëheqja iraniane në vitet e fundit.

Shkalla e plotë e pasojave nga shtypja është bërë e ditur gradualisht, pasi tash e 11 ditë Irani vazhdon të jetë në terro total pa internet dhe komunikim.

Pavarësisht vështirësive në qasjen në informacion, organizata joqeveritare Iran Human Rights thotë se ka verifikuar se 3.428 protestues janë vrarë nga forcat e sigurisë.

Sipas mediave lokale dhe vëzhguesve, autoritetet kanë vazhduar me arrestime pas valës së demonstratave, pavarësisht trysnisë ndërkombëtare.

BE-ja tashmë ka sanksionuar disa qindra zyrtarë iranianë për shtypjen e lëvizjeve të mëparshme protestuese dhe për mbështetjen e Teheranit për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Blloku ka ndaluar gjithashtu eksportin drejt Iranit të një sërë komponentësh që mund të përdoren në prodhimin e dronëve dhe raketave në vend. /REL

Shpërndaje në rrjete sociale