Gati 3000 njerëz janë vrarë në qytetin Goma në pjesën lindore të Republikës Demokratike të Kongos, sipas Kombeve të Bashkuara, pas marrjes në kontroll të qytetit nga rebelët.
Vivian van de Perre, nënkryetare e misionit të OKB-së në Republikën Demokratike të Kongos, tha të mërkurën se “deri më tani 2,000 trupa janë mbledhur nga rrugët e Gomës dhe ditëve të fundit 900 trupa janë në morgjet e spitaleve të Gomës”.
“Ne dyshojmë që ky numër të rritet,” u tha ajo gazetarëve në një telefonatë video nga qyteti, në të cilin janë strehuar rreth 2 milion njerëz. “Ka ende shumë trupa në dekompozim, në zona të caktuara”, tha de Perre, raporton CNN.
Koalicioni rebel, Alliance Fleuve Congo (AFC) – i cili përfshin grupin e armatosur M23 – njoftoi një armëpushim nga e marta “në përgjigje të krizës humanitare të shkaktuar nga regjimi i Kinshasës”, duke iu referuar qeverisë së Republikës Demokratike të Kongos.
Ndërsa qeveria, të martën, e përshkroi armëpushimin si “komunikim të rremë” dhe luftime të ashpra kanë vazhduar të raportohen në provincën e Kivusë Jugore, tha OKB të mërkurën.
Republika Demokratike e Kongos – një vend me më shumë se 100 milionë banorë – ka përjetuar dekada të tëra dhune të nxitura nga tensionet etnike dhe luftimet për aksesin në tokë dhe burime minerale, duke shkaktuar një nga krizat më të mëdha humanitare në botë.
Kongo, Shtetet e Bashkuara dhe ekspertët e OKB-së akuzojnë Ruandën fqinje për mbështetjen e M23, e cila përbëhet kryesisht nga tutsi etnikë, që u shkëputën nga ushtria kongoleze më shumë se një dekadë më parë.
Qeveria e Ruandës mohon pretendimin, por ka pranuar se ka trupa dhe sisteme raketore në Kongon lindore për të mbrojtur sigurinë e saj, sipas Associated Press. Presidenti i Ruandës, Paul Kagame, i tha CNN të hënën se ai nuk e dinte nëse forcat ushtarake të Ruandës ishin në Kongo, por tha se vendi i tij do të bënte atë që është e nevojshme për të mbrojtur veten.
Që nga viti 2022, M23 – i cili pretendon se mbron interesat e komuniteteve pakicë, duke përfshirë Tutsi-t – ka zhvilluar një rebelim të ri kundër qeverisë kongoleze, duke pushtuar një hapësirë të madhe në Kivunë Veriore, e cila kufizohet me Ruandën dhe Ugandën.
Rajoni është i pasur me minerale të rralla –përfshirë depozitat e mëdha të koltanit – që është thelbësore për prodhimin e telefonave dhe kompjuterëve./rtk
Granit Xhaka asiston tek goli i parë i Sunderlandit
Haradinaj: Dalja në zgjedhje është e kënaqshme
Kandidati për deputet nga Lista Serbe thyen rëndë heshtjen z...
Zëdhënësi i VV-së del me thirrje disa orë para mbylljes së k...
Kryetarja e Ranillugut po hetohet, dyshohet se bëri presion ...
PDK: Mos e lini votën në shtëpi – dilni dhe votoni për veten...