Afrikë, ndotja e ajrit shkaktoi vdekjen e mbi 1 milion njerëzve në vitin 2019

01:26 | 11 Tetor 2021

Ndotja e ajrit në Afrikë ka shkaktuar vdekjen e rreth 1.1 milionë njerëzve në vitin 2019, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një hulumtimi të publikuar në revistën “Lancet Planetary Health”, ndotja e ajrit e shkaktuar nga qymyri dhe vajguri nëpër shtëpi në vitin 2019 në Afrikë ka shkaktuar vdekjen e 697 mijë njerëzve ndërsa ndotja e ajrit në mjedise të jashtme vdekjen e 394 mijë njerëzve.

Në hulumtimin e përgatitur duke përfituar nga të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) përfshihen edhe efektet e sëmundjeve dhe vdekjeve nga ndotja e ajrit në ekonomi.

Efekti negativ i ndotjes së ajrit në ekonominë e Etiopisë u përllogarit në 3 miliardë dollarë ndërsa kjo shifër në Gana është regjistruar në 1.63 miliardë dollarë dhe në Ruanda në 349 milionë dollarë.

Në hulumtim thuhet se rritja e vërejtur në vdekjet e ndotjes së ajrit në mjedise të jashtme është gjetja më shqetësuese dhe se ka rrezik që kjo shifër të rritet duke u shumëfishuar me urbanizimin në kontinent.

Përdorimi i lëndëve djegëse fosile është rritur si për shkak të industrializimit ashtu edhe për shkak të urbanizimit, theksohet në hulumtimin në të cilin tërhiqet vëmendja se që nga viti 2100 pritet që popullata e kontinentit të trefishohet dhe nga 1.3 miliardë të arrijë në 4.3 miliardë.

Në anën tjetër vdekjet e lidhura me ndotjen e ajrit janë shkaku i dytë kryesor që shkakton më shumë vdekje pas SIDA-s.

Më tej thuhet se në kontinent janë pakësuar vdekjet nga sëmundje të tilla si SIDA dhe malaria dhe se ka një kalim epidemiologjik nga sëmundjet “ngjitëse” tek sëmundjet “jo ngjitëse”.

Lajmet më të lexuara