Presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar se Franca planifikon të njohë Palestinën si shtet në qershor të këtij viti. Në një intervistë për televizionin France 5 të mërkurën, ai tha se synonte ta finalizonte këtë në një konferencë të Kombeve të Bashkuara mbi konfliktin Izrael-Palestinë, të cilën vendi i tij do ta bashkëkryesojë me Arabinë Saudite në qershor.
“Ne duhet të shkojmë drejt njohjes dhe do ta bëjmë këtë në muajt e ardhshëm. Nuk po e bëj për të kënaqur askënd. Do ta bëj sepse në një moment do të jetë e drejtë”, tha Macron.
Për ministrin e Shtetit për Punët e Jashtme të Palestinës, Varsen Aghabekian Shahin, njohja e Francës do të ishte “një hap në drejtimin e duhur në përputhje me mbrojtjen e të drejtave të popullit palestinez dhe zgjidhjen me dy shtete”.
Por ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar tha se çdo “njohje e njëanshme” e një shteti palestinez do të ishte një “nxitje për Hamasin”.
“Një ‘njohje e njëanshme’ e një shteti imagjinar palestinez, nga çdo vend, në realitetin që ne të gjithë e dimë, do të jetë një çmim për terrorin dhe një nxitje për Hamasin. Këto lloj veprimesh nuk do të afrojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajonin tonë – por e kundërta: ato vetëm i largojnë ato”, shkroi ai në X, përcjell A2 CNN.
Palestina është njohur si shtet sovran nga 146 vende nga 193 anëtarë të OKB-së deri më tani, me Armeninë, Slloveninë, Irlandën, Norvegjinë, Spanjën, Bahamasin, Trinidadin dhe Tobagon, Xhamajkën dhe Barbados që iu bashkuan radhëve të tyre vitin e kaluar.
Megjithatë, pavarësisht rritjes së mbështetjes ndërkombëtare për shtetësinë palestineze, disa vende të mëdha perëndimore si Shtetet e Bashkuara, Australia, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania e kanë refuzuar njohjen.
Macron tha se ai parashikoi një “dinamikë kolektive”, duke u mundësuar disa vendeve në Lindjen e Mesme të njohin edhe shtetin izraelit.
Vendet që nuk e njohin Izraelin përfshijnë Arabinë Saudite, Iranin, Irakun, Sirinë dhe Jemenin.
Macron tha se njohja e Palestinës si shtet do t’i lejonte Francës “të ishte e qartë në luftën tonë kundër atyre që mohojnë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, siç është rasti me Iranin, dhe të angazhohemi për sigurinë kolektive në rajon”.
Franca ka mbrojtur prej kohësh një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, duke vazhduar politikën e saj pas sulmit të 7 tetorit 2023 nga grupi i armatosur palestinez Hamas ndaj Izraelit.
Por njohja formale nga Parisi e një shteti palestinez do të shënonte një ndryshim të madh politik dhe mund të antagonizojë Izraelin, i cili këmbëngul se lëvizje të tilla nga shtetet e huaja janë të parakohshme.
Në një udhëtim të fundit në Egjipt, Macron zhvilloi bisedime me presidentin Abdel Fattah el-Sisi dhe mbretin e Jordanisë Abdullah II, duke e bërë të qartë se ai ishte fuqimisht kundër çdo zhvendosjeje ose aneksimi në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.
Trumpi thotë se Kina nuk do t’i japë Iranit pajisje ushtarak...
“Dëshmi se veç puna e çon përpara Kosovën! “, thotë Osmani p...
Lladrovci takon Limajn: Fërkimet riparohen kur qëllimi është...
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor jep detajet për gjetjen e ...
Arrestohet drejtori i kompanisë “Onima”, Erkand Shabani
PS dhe PD bëhen bashkë, votohet projektrezoluta për integrim...