13 viktima nga acari në Evropë, Anglia dhe Franca kaos me udhëtimet, mbyllen edhe shkollat

20:15 | 10 Janar 2026
Q L

Evropa Veriore vijon të përballet me motin e keq, me erëra me intensitet uragani dhe stuhi të fuqishme, që kanë shkaktuar të paktën 13 viktima, kaos në udhëtime, mbyllje shkollash dhe ndërprerje të energjisë elektrike për qindra mijëra banorë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, stuhia Goretti goditi rëndë Cornwall-in dhe pjesë të Uellsit, me erëra që arritën deri në 160 km/orë. Rreth 50 fluturime u anuluan, duke bllokuar mijëra pasagjerë. Dhjetëra mijëra familje mbetën pa energji elektrike. Një burrë në të 50-at humbi jetën në qytetin Helston, nga rrëzimi i një peme. Agjencia kombëtare e motit Met Office paralajmëroi për rrezik nga bora dhe akulli në pjesën më të madhe të vendit, veçanërisht në Skoci dhe Anglinë Veriore.

Në Francë, stuhia Goretti shkaktoi ndërprerje të energjisë për rreth 320 mijë familje, kryesisht në Normandinë Veriore. Të shtunën, autoritetet njoftuan për rreth 100 mijë banesa pa energji elektrike. Në disa zona erërat arritën një shpejtësi deri në 216 km/orë, duke rrëzuar pemë dhe shkaktuar dëme kolosale në banesa. Shkollat mbetën të mbyllura në disa zona, ndërsa porte dhe rrugë u mbyllën përkohësisht.

Gjermania Veriore u përball me ndërprerje energjie, transporti dhe komunikimi për shkak të stuhisë Elli, e cila solli reshje të dendura bore dhe erëra të forta. Shkollat u mbyllën në disa qytete, ndërsa trafiku hekurudhor në distanca të gjata u pezullua.

Probleme serioze u raportuan edhe në disa vende të Europës Qendrore dhe Lindore. Trafiku ajror u ndërpre nga Çekia deri në Rusi, ku mbi 300 fluturime u anuluan në katër aeroportet që shërbejnë në Moskë. Autoritetet meteorologjike anëembanë kontinentit kanë lëshuar paralajmërime për erëra “me forcë uragani” dhe reshje të dendura bore, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme.

13 viktima nga acari në Evropë, Anglia dhe Franca kaos me udhëtimet, mbyllen edhe shkollat