Kalueshmëria në Testin e Maturës në afatin e parë është 67.44 përqind

13:26 | 7 Shtator 2020
V. S.

Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM) ka bërë publike sot rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore 2020 (afati i parë), sipas të cilave rezultati i përgjithshëm i kalueshmërisë është 67.44 përqind. Prej këtij rezultati, 67.38 përqind është kalueshmëria në mësimin në gjuhën shqipe, 77.32 përqind në gjuhën boshnjake dhe 62.44 në gjuhën turke.

Në test kanë marrë pjesë 25.362 nxënës, nga 26.699 që e kanë paraqitur testin, prej të cilëve 17.105 e kanë kaluar testin, ndërsa për 8.257 maturantë do të mbetet si mundësi edhe afati i dytë i Provimit të Maturës, thuhet në njoftim.

Kryetari i KShM, Gëzim Berisha e ka vlerësuar të suksesshëm administrimin e testit, i cili këtë vit është organizuar në rrethana pandemie, për të cilën gjë i ka falënderuar të gjithë akterët pjesëmarrës në proces, ndërsa tha se rezultatet e nxënësve janë të kënaqshme.

Berisha bëri të ditur se janë 63 maturantë, të cilëve iu është anuluar testi, për shkak se kanë tentuar të përdorin telefonin, ndërsa nuk ka pasur parregullsi që do ta dëmtonin procesin./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale