Pupovci: Problemet në arsim nuk zgjidhen nëse vazhdon të eksploatohet për vota

09:03 | 25 Qershor 2019
A Z

Në disa shkolla mësimi ka përfunduar më 21 qershor ashtu siç ka kërkuar (SBASHK). E disa shkolla po vazhdojnë të mbajnë mësim deri më 28 qershor pasi (MASHT), ka marrë vendim që mësimi të shtyhet për shkak të orëve të humbura gjatë grevës në arsim.

Në një prononcim për Arbresh.info Dukagjin Pupovci, drejtor në Qendrën e Arsimit të Kosovës, vlerëson  se kompensimi i orëve e ka humbur kuptimin e vet, pasi nuk ekziston motivimi as tek nxënësit as tek mësimdhënësit.

Sipas tij revolta e mësimdhënësve në janarin e  këtij viti ka qenë e arsyeshme, meqë krerët e shtetit kishin marrë obligime parazgjedhore në raport me ta, të cilat nuk deshën t’i përmbushin, ndërkohë që i dyfishuan pagat e veta

“Kjo është një situatë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në Kosovë. Mendoj se revolta e mësimdhënësve në janarin e  këtij viti ka qenë e arsyeshme, meqë krerët e shtetit kishin marrë obligime parazgjedhore në raport me ta, të cilat nuk deshën t’i përmbushin, ndërkohë që i dyfishuan pagat e veta. Gjithsesi, është pritur që, pasi SBASHK-u shënoi fitore në këtë betejë sindikale, do të zëvendësoheshin orët e humbura të mësimit, ashtu si parasheh vendimi i MASHT, të cilin nuk arritën ta rrëzojnë as në gjykatë. Megjithatë, ndodhi një refuzim total që, unë mendoj se është pasojë e raporteve të çrregulluara brenda Koalicionit PAN, ku secili partner bën një politikë të veten dhe tenton ta dobësojë tjetrin, gjithnjë duke menduar për rezultatin e zgjedhjeve të radhës”.

Pupovci thotë se viktima kryesore e kësaj loje politike janë fëmijët, të cilët kanë humbur 15 ditë mësim dhe kanë marrë një mesazh të keq nga të rriturit, se në shtetin e Kosovës mund të bësh çfarë të duash me ligjin pa pasur asnjë lloj pasoje.

“Mendoj se viktima kryesore e kësaj loje politike janë fëmijët, të cilët kanë humbur 15 ditë mësim dhe kanë marrë një mesazh të keq nga të rriturit –  se në shtetin e Kosovës mund të bësh çfarë të duash me ligjin pa pasur anjë lloj pasoje. Pas gjithë këtij kalvari, kompensimi i orëve sikur e ka humbur kuptimin e vet, pasi nuk ekziston motivimi as tek nxënësit as tek mësimdhënësit. Thjeshtë, ata që janë duke i kompensuar orët, me gjasë ndihen, të diskriminuar, pasi një shumicë dërrmuese e shkollave e kanë përfunduar mësimin të premten”.

Tutje konsideron se problemet e tilla nuk mund të zgjidhen nëse arsimi vazhdon të eksploatohet për vota, siç ka ndodhur në 10 vitet e fundit.

“Konsideroj se humbja e 15 ditëve të mësimit nuk është asgjë në raport me natyrën e problemeve me të cilat përballet arsimi në Kosovë, e ku, politizimi, si dhe mungesa e përgjegjësisë dhe llogaridhënies zënë vend qendror.  Problemet e tilla nuk mund të zgjidhen nëse arsimi vazhdon të eksploatohet për vota, siç ka ndodhur në 10 vitet e fundit, ku secila fushatë zgjedhore shoqërohet me premtime megalomane dhe marrëveshje fiktive në mes të partive politike dhe sindikatave, të cilat pastaj nuk respektohen”, ka thënë Pupovci./A.Zeka/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale