Sot në Davos, Kurti flet për demokracinë dhe Kosovën

07:25 | 20 Janar 2026
E.K

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në Shtëpinë e Kosovës në Davos, në kuadër të Forumit në Davos, do të flasë për Kosovën e demokracinë.

“Një bisedë që bashkon Albin Kurtin, Kryeministër i Republikës së Kosovës, dhe Rory Stewart OBE, për një shkëmbim të hapur mbi udhëheqjen, demokracinë, Kosovën dhe çështjet globale”, njofton Shtëpia e Kosovës.

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dje priti në Shtëpinë e Kosovës në Davos ministrin e Promovimit të Eksportit, Tregtisë Ndërkombëtare dhe Zhvillimit Ekonomik të Kanadasë, Maninder Sidhu.

Kosova do të prezantohet në Forumin Ekonomik Botëror “Davos 2026” përmes iniciativës “House of Kosova”, me sloganin “Shtëpia e Kosovës, shtëpi e talentit”. Ky prezantim e radhit Kosovën në mesin e 25 shteteve në botë që kanë hapësirë të dedikuar përfaqësimi gjatë këtij forumi global.

Në Davos, Kosova do të përfaqësohet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili do të zhvillojë takime me liderë politikë ndërkombëtarë, investitorë të huaj dhe të diasporës, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe biznesit global.

“House of Kosova” do të jetë e hapur nga 19 deri më 23 janar 2026, çdo ditë nga ora 10:00, në Davos Platz, duke shërbyer si pikë takimi dhe rrjetëzimi për liderë, sipërmarrës, investitorë dhe përfaqësues të diasporës kosovare.

Programi i sivjetmë përfshin panele të nivelit të lartë, prezantime të potencialit të Kosovës për investime të huaja, aktivitete kulturore dhe ngjarje rrjetëzimi që adresojnë temat më aktuale globale, përfshirë demokracinë, sigurinë, inteligjencën artificiale, tranzicionin energjetik dhe ndërtimin e qëndrueshëm.

Pjesëmarrja e Kosovës me “House of Kosova” në Davos vlerësohet si një platformë strategjike për promovimin e vendit si destinacion për investime, inovacion dhe bashkëpunim ndërkombëtar.