Vdekje, lëndime dhe sëmundje, janë vetëm disa nga pasiguritë e punëtorëve në Kosovë

11:06 | 11 Nëntor 2018
A Z

Vdekjet e punëtorëve në vendin e punës kanë shtuar shqetësimet për sigurinë në punë. Sipas raporteve të fundit deri më tani kanë ndodhur 18 raste të vdekjeve në vendin e punës.

Pavarësisht deklaratave e thirrjeve të shumta të institucioneve kompetente për kujdes të punëtorëve si dhe realizimit të kushteve nga punëdhënësi, një gjë e tillë nuk po gjen zbatim.

Ndaj kësaj dukurie, ka reaguar edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini.

Në një intervistë për portalin arbresh.info Ajdini ka thënë se punëtorët po përballen edhe me dukuri të sëmundjeve përveç vdekjes.

“Gjithmonë kemi apeluar për siguri në punë dhe shëndet. Çdo organizatë duhet ta ketë ekspertin e licencuar që duhet të bashkëpunoj me punëtorët dhe duhet të mbajë brenda në fabrikë seminare për t’i aftësuar punëtorët si të mbrohen. Por ne nuk kemi vetëm fatalitete por edhe sëmundje profesionale të cilat vijnë mbas një kohe, sikurse gjatë absorbimit të gazrave deri tek helmimi dhe më vonë kanceri”, ka thënë ai.

Sipas Ajdinit personat që janë të licencuar kanë obligim që në fabrikat e tyre të bashkëpunojnë me punëtorët dhe t’u tregojnë si të mbrohen.

“Në ndërtimtari që ka fatalitete më të mëdha, ka mundësi që mbrojtja në punë, helmeta, rripi, këpucët, veshmbathja, janë çështje fizike që mund të realizohen shumë shpejt. Çështja sociale e shtyn punëtorin që të hip në lartësi të mëdha pa u siguruar, pa e pasur rrjetën mbrojtëse. Por këtu ka punë edhe inspektoriati i punës me të cilët bashkëpunojmë shumë mirë, dhe kemi kërkuar ndëshkime maksimale. Ata janë duke punuar por numri i inspektorëve është i vogël. Duhet të rriten inspektorët dhe duhet të rritën gjobat”, ka theksuar ai./V.Berisha/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale