Mbi 10 mijë OJQ të regjistruara në Kosovë

09:05 | 27 Mars 2019

Në Kosovë veprojnë një numër i madh i Organizatave Joqeveritare, disa prej tyre ndërkombëtare, por shumica vendore.

Në një përgjigje për Indeksonline nga Ministria e Administratës Publike, bëhet e ditur se deri në këtë periudhë, numri i përgjithshëm i OJQ-ve ka arritur në 10 mijë e 214.

“Prej tyre 542 OJQ janë ndërkombëtare. Këtë vit, nuk është pezulluar veprimtaria e asnjë OJQ-je, ndërsa në vitin e kaluar, veprimtaria e disa OJQ-ve është pezulluar në bazë të kërkesës së organit kompetent të sigurisë. Ndërkaq, kur janë në pyetje veprimtaritë e OJQ-ve, mund të themi lirisht se ato përfshijnë, pothuaj të gjitha fushë veprimtaritë e jetës”, thuhet në përgjigjën e Zeqir Bekollit, udhëheqës i DKP-së në MAP.

Ai ka bërë të ditur se aktivitetet e tyre, më së shumti shtrihen në komunën e Prishtinës.

Mirëpo, sipas Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KFCS) nuk mund të llogaritet numri i saktë i organizatave që ushtrojnë aktivitet në Kosovë për dy arsyeje.

“Fillimisht, shoqëria civile në Kosovë përbëhet jo vetëm nga OJQ-të e regjistruara, por edhe nga llojet tjera të organizatave, të cilat mund ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre pa pasur nevojë të regjistrohen në autoritetet përkatëse shtetërore. Së dyti, edhe nëse fokusohemi vetëm tek organizatat e regjistruara, është e pamundur të llogaritet numri i saktë i organizatave që ushtrojnë aktivitet në Kosovë, dhe atë për dy arsye. Së pari, Departamenti për OJQ (DOJQ) nuk ka mekanizma për komunikim të rregullt me të gjitha OJQ-të. Së dyti, një OJQ konsiderohet aktive edhe nëse nuk ushtron aktivitet të përditshëm”, thuhet në përgjigjen e tyre.

KFCS thekon se në Kosovë janë gjithsej 9 mijë e 545 OJQ, prej të cilave 530 janë të huaja

“Nga këto, 1,493 janë klube sportive dhe federata të sportit, dhe 35 organizata fetare. Përkundër që Regjistri Publik i OJQ-ve numëron më shumë se 9,500 OJQ të regjistruara, ky numër nuk tregon gjendjen reale të sektorit apo numrin e organizatave aktive. Si rrjedhojë, për t’iu afruar një pasqyre më të qartë të numrit të organizatave aktive ose atyre që ushtrojnë ndonjë lloj aktiviteti gjatë një viti, kemi konsideruar të dhëna nga institucione tjera, si Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dhe Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK)”, thuhet ndër të tjerash në përgjigjen e tyre.

Sipas tyre, nëse merret për bazë aktiviteti financiar i organizatës, siç janë të hyrat vjetore, punësimi i stafit, pagesa e tatimeve, numri i organizatave aktive në Kosovë është pak më pak se 1,000 OJQ.

KFCS thotë se në krahasim me vitet me parë, është rritur ndjeshëm përqindja e qytetarëve që bëjnë punë vullnetare nëpër këto organizata.

“Për të matur nivelin e angazhimit qytetar në Kosovë, mostra përfaqësuese për Kosovë prej 1,306 respodentësh është pyetur nëse janë anëtarë apo bëjnë punë vullnetare për ndonjë organizatë të shoqërisë civile. Të dhënat nga anketa tregojnë se afër 11.5% e qytetarëve të Kosovës janë anëtarë të një ose më shumë organizatave të shoqërisë civile, dhe 15.2% deklaruan se kanë bërë punë vullnetare për organizata të shoqërisë civile gjatë vitit 2017. Të dhënat e vitit 2015 tregojnë se vetëm 2.9% e qytetarëve ishin pjesë e një apo më shumë OShC-je dhe se vetëm 3.8% e qytetarëve kanë bërë punë vullnetare për një apo më shumë OShC”, thuhet në përgjigjën e tyre.

Ndërsa, në një dokument për vitin 2018, bëhet e ditur se Departamenti për Organizata Jo-Qeveritare në MAP ka pezulluar veprimtaritë e 21 OJQ-ve.

Kurse, për këtë vit MAP ka deklaruar se nuk është pezulluar asnjë veprimtari apo aktivitet i OJQ-ve./Indeksonline/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara