Kirurgu thotë se ju bë e padrejtë, deklarohet edhe drejtori i ShSKUK-së

11:02 | 2 Dhjetor 2018
A Z

Janë bërë 33 vjet që punon në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Gjatë këtyre viteve punë ai ka kryer rreth katër mijë operacione, për të cilat asnjëherë nuk kishte marr ndonjë vërejtje nga pacientët. Është ky doktori Salih Krasniqi, i cili deri tani punon si kirurg i klinikës Laparaskopike në QKUK.

Të gjithë punën që e ka bërë në këtë klinike, doktor Krasniqi është i detyruar ta përmbyll me një vendim që do ta marr e të cilin as ai nuk e dëshiron.

Në një intervistë për portalin arbresh.info ai ka thënë se është i detyruar të jap dorëheqje nga kjo detyrë 31 muaj para pensionimit, pasi që i ka ardhur një vendim nga drejtori i ShSKUK-së që orari nga 4 orë t’i zgjatej në 8 orë punë.

“Vendimi nuk është i imi është i drejtorit të ShSKUK-së, zotëri Bastriut i cili po më detyron mua ta lë punën, kur e din që për shkaqe shëndetësore nuk mund të qëndroj 8 orë të punoj. I kam treguar edhe gojarisht këtë edhe me shkrim në ankesë që e kam bërë, ai sërish e ka marr atë vendim në komision të shkallës së dytë dhe në ankesën time ma ka anuluar, kështu që detyrimisht po më detyron ta lë punën 31 muaj para pensionimit të rregullt mirëpo le të mbes në ndërgjegjen e tyre”, ka thënë ai.

Krasniqi ka treguar se i njëjti drejtor para një vitit ia kishte aprovuar vendimin që të punoj me gjysmë orari, dhe se sipas tij i gjithë ndryshimi që i erdhi tani është shkak i një reagimi që ky kishte bërë për repartin e Laparaskopisë.

“Para një vitit më 1 nëntor vetë ky drejtor ma ka dhënë vendimin të punoj katër orë, dhe deri më tani nuk ka pasur problem. Kam pasur vendimin e komisionit shëndetësor në Gjakovë dhe drejtori e ka parë për këtë e më kanë liruar me gjysmë orari. Këtë vendim më nuk më kanë thënë që ta ripërtrij sepse po të më kishin kërkuar unë do ta sjellja prapë. Por kjo erdhi pas reagimit dhe shkresës që bëra për repartin e Laparaskopisë kur në kolegjiumin e klinikës së Kirurgjisë referuan se do ta mbyllin repartin e Laparaskopisë me arsyen se nuk i plotëson kushtet. Ata thanë se duhet ta marrim aparatin dhe ta dërgojnë në kirurgjinë Abdominale. Iu thash se nuk është mirë të mbyllet një repart ku janë kryer rreth 8 mijë operacione, ku janë trajnuar afër 100 kirurg nga mbarë Kosova, por arsyeja e tyre ishte se do të rinovohet, mirëpo nuk u rinovua dhe për këtë kërkova të lë takim me drejtorin i cili nuk më takoi”, theksoi ai duke shtuar se kjo gjë e kishte shtyer të shkonte tek ministri.

“Shkova tek ministri i Shëndetësisë dhe bisedova me të, ai më tha se nuk i kishte pasur këto informata dhe krejt ndryshe kishte dëgjuar. I tregova si është gjendja dhe nëse merret ai aparat e shkon në reparte tjera do mbesin pacientët pa u operuar, ose duhet me i referu në qendra private dhe kjo nuk i konvenon askujt e më së paku pacientëve. Ministri më tha se ai e rregullon atë punë. Ia sqarova edhe gjendjen time se si e kam dhe se nuk mund të punoj 8 orë. Mendova që u krye ajo punë, por s’kishte përgjigje. As në ankesën që bëra nuk kishte përgjigje”, ka thënë Krasniqi.

Doktor Krasniqi tregon edhe problemet shëndetësore që ka e të cilat nuk e lejojnë të punoj me orar të plotë.

“Kam probleme kardiake nga zemra. Kam probleme edhe nga lufta që nuk mund të rri në këmbë. Para një javë kam ndenjur katër orë në emergjencë i shtrirë për shkaqe shëndetësore. Edhe gjatë operacioneve duke i kryer më ka ndodhur të kem probleme, dhe kam shkuar kam marr terapi e as në pushim nuk kam shkuar, s’kam dashur të humb asnjë ditë pune. Diku rreth 4 mijë operacione i kam kryer nga mbas. Kam pasur falënderime të mëdha dhe kur e lajmërova në facebook që do të më duhet ta marr detyrimisht këtë vendim që të largohem nga puna, shumë pacient që i kam operuar më janë falënderuar dhe janë çuditur me këtë fakt. Kam operuar edhe personalitete si në kuptimin politik apo të dëshmorëve. Kam operuar kunatën e Ramushit, kunatën e Zahir Pajazitit, nënën e Mujë Krasniqit, komandantin Sylejman Selimin”, theksoi ai.

Ndonëse është kirurgu më i vjetër në këtë repart, Krasniqi thotë se ka edhe kirurg të tjerë që punojnë me gjysmë orari, mirëpo sipas tij për ata nuk vlen orari 8 orësh.

“Që nga dita e parë kemi filluar 4 kirurg, njëri ka vdekur. Por punën më të madhe prapë e kam bërë unë. Ka dashur fati të jem i angazhuar vetëm me Laparaskopi dhe kam bërë ushtrime edhe trajnime të kirurgëve tjerë. 33 vite kam punuar dhe në fund të thonë është i pavlefshëm, të detyrojnë ta lë punën dhe të thonë vetë e ka lënë. Këtë e kanë bërë me qëllim tek unë. Ka koleg të tjerë që deri sot janë me 4 orë duke punuar dhe këtë e ka bërë konkretisht për mua pas momentit të reagimit për Laparaskopinë. Kirurgëve të tjerë deri më tani nuk ua ka bërë orarin 8 orë”, theksoi ai.

Drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu në një prononcim për portalin arbresh.info ka thënë se nuk është kirurgu Krasniqi i vetmi ndaj të cilit është marr vendimi për 8 orë punë.

“Është edhe një kirurg në Neurokirurgji dhe edhe për atë është përgatit vendimi, e kemi edhe një në Kardioligji ku e kemi kthyer prej 4 orë punë në 8. Do të thotë aty ku ka qenë gjysmë orari janë kthyer. Është qëndrim që të punojnë në institucionet publike jo në private më shumë. Pra kontributin ta dhënë në institucione publike ku edhe e kanë kontratën e punës. Dikush nëse kalkulon që do ta jap kontributin më shumë në sektorin privat atëherë mund të zgjedh”, ka thënë Sejdiu duke treguar që para një viti kirurgut në fjalë ia kishte lejuar orarin në 4 orë punë.

“Para një vitit ia kam lejuar 4 orë punë, për shkaqe shëndetësore, humane, respektit e të gjitha. Por tani është qëndrim që të gjithë të punësuarit të kenë edhe katër orë, kemi konstatuar që ka vrull të punës dhe kanë nevojë mjekët të kontribuojnë më shumë në institucione ku janë të punësuar. Doktori në fjalë është dekan në institucion privat, punon edhe privat, dhe nëse mund të punoj atje atëherë duhet ta jap kontributin edhe këtu ku edhe ligji ta lejon 8 orë në institucionin publik, 4 orë në privat”, theksoi ai.

Sipas Sejdiut nëse dikush është i sëmurë atëherë këtë duhet ta arsyetoj me dokumentacion mjekësor.

“Nëse dikush është i sëmurë duhet ta arsyetoj me dokumentacion mjekësor, janë komisionet përkatëse, asgjë tendenciozë ndaj askujt, as pretendime që dikush me bë presion por këtu faktikisht është një kontratë që duhet respektuar të gjithë dhe nuk shoh arsye që dikush shkel të drejtat e dikujt. Nëse e sjell dokumentacionin nga komisionet shëndetësore ku konstatohet që nuk mund të punoj 8 orë në institucion publik, por gjithmonë ceket që i njëjti duhet të përcillet edhe në sektorin privat. Pra dokumentacioni mjekësor është valid nëse e sjell dhe lejohet, por normal që monitorohet”, ka thënë ai./V.Berisha/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale