Kërkohet shkarkimi i Kryeshefes së IPK-së, Miradije Kelmendi

13:53 | 5 Prill 2019

Me pesë vota për, një abstenim dhe dy vota kundër, Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës e ka proceduar për seancë raportin e Grupit Punues, i cili përfshin rekomandimin për shkarkimin e Kryeshefes së Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Miradije Kelmendi.

Kundër votuan deputeti i LDK-së Ismet Beqiri dhe deputetja e PSD-së, Aida Dërguti, raporton Ekonomia Online. Beqiri tha se nuk e voton raportin nëse nuk hiqen tri prej tyre sa i përket kryeshefes së Inspektoratit.

“Nëse na do duhej të merreshim me rekomandime, e udhës ka qenë që rekomandimi i parë me qenë që njeriu të kthehet në detyrë nëse gjykata e ka shpallë të pafajshëm. Këtë se kemi bë, lëre që se kemi bë, por tash ne kërkojmë prej kryeshef aktuale të merren masa për diçka që është zgjedhë me konkurs”.

“Atje ka telashe që duhet me i zgjidhë por unë për pikën 13, 14 dhe 17 nuk i përkrahi sepse mendoj që është një interferim i yni dhe si i tillë nëse mbesin kështu unë nuk e votoj as rekomandimet as raportin sepse mendoj që duhet të jemi korrekt, nëse për dikë bëhemi nënë e për dikë njerkë nuk është në rregull”.

Edhe Dërguti tha se e mbështet atë.“Hezitimi im është pikërisht në këto paragrafe që lidhen me kryeshefen e inspektoratit”.Ndërsa deputeti i VV-së, Xhelal Sfeçla, tha se e kanë pasur të drejtën e rekomandimeve pas shkeljeve që kanë gjetur.

“Fatkeqësisht ne kemi gjet shumë shkelje, qoftë të procedurave, qoftë të ligjeve të Kosovës. Kemi ardhur te një konstatim, një votim i grupit punues, kemi dalë me rekomandime dhe nëse tash konkludohet që s’paskemi të drejtë me mbikëqyr ligj atëherë pse e kemi iniciuar grupin punues si komision që në fund mos me mund me dalë me rekomandime drejtuar seancës”.

Ky grup punues ishte themeluar me qëllim që të mbikëqyrë ligjshmërinë në IPK, Miradije Kelmendi, në këtë detyrë e kishte pasur Hilmi Mehmetin, të cilin e kishte shkarkuar ish-ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Bejtush Gashi.

Ndërkaq, komisioni formoi edhe panelin për zgjedhjen e Komisionarit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me kryetar Haxhi Shalën dhe anëtarë: Fadil Beka nga PDK, Labinot Tahiri nga AAK, Ismet Beqiri nga LDK, Aaida Dërguti nga PSD, Bahrim Shabani nga 6+, Xhelal Sfeqla nga LVV.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara