Haradinaj: Roli konstruktiv i Gjermanisë i nevojshëm për Ballkanin

19:26 | 15 Shkurt 2019

“Kosova është e fokusuar në fuqizimin e partneritetit me Gjermaninë dhe në këtë aspekt, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për rritjen e komunikimit dhe bashkëpunimit bilateral”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me Johann David Wadephul, deputet i Bundestagut, zëvendëskryetar i Grupit Parlamentar të CDU / CSU, përgjegjës për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe Peter Beyer, anëtar i Komitetit për Politikë të Jashtme dhe Raportues special për marrëdhëniet trans-atlantike dhe Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Haradinaj e ka falënderuar shtetin gjerman për kontributin në shtetndërtimin e Kosovës, veçmas për rolin konstruktiv në shumë zhvillime politike në vend por edhe në Ballkan posaçërisht në tri dekadat e fundit.

“Forcimi ekonomik i vendit, avancimi në sundimin e rendit dhe ligjit, konsolidimi i ekipit negociator dhe i platformës së Kosovës për dialogun me Serbinë, për arritjen e një marrëveshje ligjërisht obliguese për të dyja vendet, janë disa nga temat kyçe që u biseduan dhe për të cilat është e domosdoshme përkrahja e Gjermanisë”, kështu tha Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se përmbushja e të gjitha kritereve të vëna nga BE për liberalizimin e vizave është e arritur e madhe e Kosovës drejt rrugës euro-atlantike, dhe në këtë drejtim përkrahja e shtetit gjerman është e rëndësisë së veçantë.

Kryeministri Haradinaj ka ritheksuar qëndrimin e Kosovës për dialog konstruktiv dhe kontributin e vazhdueshëm të vendit për fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit.

Ndërkaq, Johann David Wadephul, deputet i Bundestagut, zëvendëskryetar i Grupit Parlamentar të CDU / CSU, përgjegjës për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe Peter Beyer, anëtar i Komitetit për Politikë të Jashtme dhe Raportues special për marrëdhëniet trans-atlantike dhe Ballkanin Perëndimor, vlerësuan të arriturat në Kosovë, duke theksuar se Gjermania do të qëndrojë krah Kosovës në rrugëtimin e saj euroatlantik.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara