Mbjellja e grurit, e cila këtë vit ka filluar me vonesë, po vazhdon.
E fermerët ankohen në cilësinë e farës së grurit. Ata thonë se përdorimi i farërave jo cilësore, po ndikon edhe në uljen e rendimenteve. Edhe ekspertët e bujqësisë pohojnë se fara jo cilësore ndikon ne uljen e rendimenteve. Por në Ministrinë e Bujqësisë thonë se fara që shitet në tregun kosovar është e licencuar dhe i përmbushë të gjitha standardet e parapara.
Reshjet e shiut të ditëve të fundit, ia hapën rrugën bujkut Basri Avdyli që të fillojë mbjelljen e grurit. Ai planifikon që këtë vit të mbjellë 23 hektarë me grurë, por thotë se dyshimet në cilësinë e farës kanë bërë që ai të mbjellë varietete të ndryshme të grurit. Se bujqit janë të brengosur për cilësinë e farës e thotë për Radio Kosovën edhe kryetari i Federatës së Bujqve, Tahir Tahiri.
“Ne kemi problem me kualitetin e dobët të farës. Te farërat që dalin në treg, që janë hibride të licencuara, kemi vërejtur se nuk janë aq kualitative sa duhet. Kemi informacione se ka edhe përpunues ilegalë të farës”, tha Tahiri.
Edhe profesori universitar i bujqësisë, Shukri Fetahu, ngre dyshimet e tija në cilësinë e farës së grurit të importuar.
“Fara që importohet, unë nuk them që nuk kontrollohet, por lë shumë për të dëshiruar cilësia e saj. Duhet testohet çdo farë që vije nga jashtë, jo vetëm me certifikatën që vije nga institucioni burimor, por edhe në institucionet tona”, tha ai.
Profesor Fetahu, i cili vite më parë krijoi varietetin e farës vendore “Dardania 1”, pohon se fara jo cilësore ndikon shumë edhe në rendimentet e ulëta të grurit.
Ndërkaq, sipas Isuf Cikaçit, drejtor në Departamentin e Politikave Bujqësore, mbjellja e grurit po shkon mirë. Ai thekson se fara e grurit që shitet në tregun e Kosovës, është e licencuara në bazë të standardeve të parapara.
“Përgatitjet janë brenda konditave të parapara, që nënkupton se ka furnizim të mirë me e plehra artificiale nga kompanitë që merren me agroimpute. Ne kemi bërë licencimin konform kërkesave të tyre dhe regjistrimi i varieteteve ashtu si është e paraparë me ligjin për farë”, theksoi Cikaçi.
Në Kosovë këtë vit pritet të mbillen mbi 70 mijë hektarë me grurë. Ekspertët e bujqësisë rekomandojnë që mbjellja e grurit të bëhet brenda periudhës optimale. Sipas tyre, gruri mund të mbillet edhe pas afatit optimal dhe atë deri në mesin e nëntorit, por se duhet të rrisin sasinë e farës për sipërfaqet e mbjella.
KMDLNJ kërkon hetim ndaj ZRRE-së: Faturat e rrymës përbëjnë ...
Murati: Edhe këtë muaj janë mbi 90 mijë familje të cënueshme...
Mbesa e Sali Mustafës emocionon për vdekjen e gjyshit: Afër ...
Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme ajrore
Turqia i dhuron Shqipërisë një avion qeveritar me vlerë 11.9...
Haradinaj i ashpër ndaj Speciales: Cali do ta kthejë dhimbje...