Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në këtë qytet caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për zyrtarin policor R.P., i cili ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh.
Ai dyshohet për veprat penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “Lëndim i rëndë trupor”, të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 14 qershor 2025, rreth orës 21:35, në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren. Dyshohet se zyrtari policor R.P., së bashku me kolegun e tij N.B., gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ka keqtrajtuar qytetarin S.F.
“Sipas kërkesës, më datë 14 qershor 2025, rreth orës 21:35 min në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, i pandehuri R.P., në cilësinë e personit zyrtar – zyrtar policor – dyshohet se duke vepruar së bashku me kolegun e tij N.B., gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ka keqtrajtuar të dëmtuarin S.F. Ngjarja ka ndodhur pasi zyrtarët policorë i kanë shqiptuar një gjobë për kundërvajtje të dëmtuarit për shkak të parkimit të palejuar, duke e vendosur tiketën e gjobës në xhamin e veturës. Në atë moment, i dëmtuari, i cili ndodhej brenda një kafiterie afër vendit të ngjarjes, ka dalë jashtë dhe ka hedhur gjobën në tokë. Pas kësaj, zyrtarët policorë i kanë kërkuar të dëmtuarit të paraqesë dokument identifikimi, por ai nuk i është bindur urdhrit të tyre. Si pasojë, ata kanë tentuar ta arrestojnë. Gjatë përpjekjes për arrestim, i dëmtuari ka rezistuar, dhe në një moment, i pandehuri i ka vendosur këmbën të dëmtuarit me qëllim të neutralizimit të rezistencës së tij, me ç’rast kolegu i tij, zyrtari policor N.B., është rrëzuar së bashku me të dëmtuarin, duke rënë mbi të. Ndërsa i dëmtuari ndodhej në pozitë të shtrirë përtokë, dhe gjatë tentativës për ta vënë nën kontroll, i pandehuri e ka goditur disa herë me grushte në pjesën e kokës, përkatësisht në zonën e syrit dhe të veshit të majtë, duke i shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në njoftim./Arbresh.info
Vendimi për mocionin e Thaçit dhe të tjerëve caktohet më 16 ...
Presidentja Osmani falënderon kongresistin Torres për mbësht...
Vdes në Shqipëri ish-ambasadori gjerman Daum, u gjet pa shen...
Norvegjia blen helikopterë ushtarakë nga SHBA-ja në vlerë pr...
Liverpooli i vendos një çmim të papërballueshëm Mac Allister...
Ballazha tregon premtimin e mbajtur: Më shumë se 50% e punët...