Dy ditë pas vdekjes, LDK dërgon telegram ngushëllimi për Skender Gashin

14:31 | 29 Qershor 2019
A Z

Para dy ditësh, albanologu, profesori dhe atdhetari Skënder Gashi u nda nga jeta në moshën 74 vjeçare.

Një ditë pas vdekjes së tij, në Institutin Albanologjik për të cilin Gashi dha kontribut të madh, u mbajt mbledhje komemorative, shkruan lajmi.net.

Për ta kujtuar profesorin e Gjuhës Shqipe që për dy dekada ligjëroi në Universitetin e Vjenës të premten morën pjesë edhe figura politike.

Mirëpo Lidhja Demokratike e Kosovës tek dy ditë pas vdekjes së Gashi ka dërguar një telegram ngushëllimi për themeluesin dhe kryetarin e degës së LDK-së në Austri.

Skender Gashi ishte bashkëpunëtor i ngushtë i ish-presidentit dhe kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugova dhe kështu dha kontribut të pashoq si për Kosovën ashtu edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Por, partia politike të cilës ai i kontribuoi me dekada u kujtua 2 ditë pas vdekjes së tij të dërgonte telegram ngushëllimi për të.

“Të nderuar qytetarë

Me dhembje të madhe morëm lajmin se ndërroi jetë veprimtari ynë i madh, Prof. Dr. Skender Gashi.
Skender Gashi, ishte veprimtari i paepur i çështjes së Kosovës dhe asaj shqiptare. Shkencëtar dhe studiues i veçantë i Albanologjisë në Prishtinë, Zagreb e Salsburg.

Prof. Dr. Skender Gashi, ishte diplomat, i paemëruar, krah i fortë i Presidentit Rugova, i cili me përkushtimin më të madh por edhe me dije të lartë ia hapi dyert Kosovës në vendet gjermanofolëse në situatat më kritike por edhe në momentet historike.

Skender Gashi, ishte themelues dhe Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Austri.

Lidhja Demokratike e Kosovës e vlerëson humbje të madhe për Kosovën, ndarjen nga njeriu që punoi dhe dha shumë për Kosovën. Intelektualit dhe profesorit, i cili me punën dhe veprat e tij kapërceu kufijtë ballkanik dhe u radhitë në mesin e dijetarëve evropian.

I shprehim ngushllimet më të thella familjes Gashi në Prishtinë, Busi të Prishtinës dhe në Austri si dhe gjithë miqëve dhe bashkëpunëtorëve të Skenderit”, thuhet në telegram.

Shpërndaje në rrjete sociale