Bashkimi Evropian thotë se është në dijeni për grevat e gjithanshme që po ndodhin në Kosovë dhe kërkesat për rritje të pagave në disa sektorë.
Sipas tyre për të shmangur rritje të tjera ‘ad-hoc’ të pagave, veprime këto të cilat i kanë kritikuar në të kaluarën, duhet që të përfundohet projektligji për pagat të cilin Bashkimi Evropian e kanë mbështetur vazhdimisht.
Në një përgjigje me shkrim për arbresh.info, BE thekson nevojën që të vazhdohet dialogu ndërmjet palëve, në mënyrë që të adresohen pakënaqësitë për sa i përket pagave.
“Ne jemi në dijeni për grevat e vazhdueshme në disa sektorë, të cilat janë shprehje e një të drejte demokratike. Dialogu në mes të partnerëve socialë, përfshirë pagat, është një mjet kyç për t’i adresuar pabarazinë në paga”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Prishtinë.
Sipas tyre, me përfundimin e projektligjit për pagat, do të marrin fund edhe problemet rreth kësaj çështje.
“Ligji për pagat përbën pjesë të reformave të administratës publike në Kosovë, të cilat BE i ka mbështetur vazhdimisht. Qëllimi i projektligjit për pagat është të krijojë për herë të parë një sistem pagash në sektorin publik, i cili bazohet në transparencën, llogaridhënien, drejtësinë dhe parimin e pagës së barabartë për punë të barabartë. Kjo do t’i japë fund vendimmarrjes ad-hoc për pagat, të cilat në të kaluarën kanë çuar në pabarazi të pagave.”
Ndërkohë zyra e BE-së në Kosovë i ka kujtuar Haradinajt vendimin që kishte marrë në vitin 2017 për rritjen e pagave të zyrtarëve politik dhe administratës publike, që ishte kritikuar hapur nga kjo zyre.
“Shembulli më i fundit është vendimi i qeverisë në vitin 2017 për të bërë rritje të konsiderueshme të pagave për zyrtarët e lartë politikë dhe të administratës publike, të cilat BE i ka kritikuar publikisht. Drafti aktual i ligjit është diskriminues, duke mos respektuar parimin e pagës së barabartë për punë të barabartë. Është gjithashtu e rëndësishme që ligji të sigurojë qëndrueshmëri fiskale të buxhetit, në përputhje me rregullën e pagës”.
Sipas BE-së projektligji aktual i pagave është i paqëndrueshëm dhe rrezikon stabilitetin makroekonomik në vend.
Zyra e BE-së shprehë gatishmërinë që t’i ofrojnë konsultime Qeverisë për të zgjidhur këto probleme.
“Projektligji në formën e tanishme nuk është i qëndrueshëm nga pikëpamja fiskale dhe rrezikon të minojë stabilitetin makroekonomik në Kosovë. BE i ka bërë të qartë mendimet e veta Qeverisë, Komisionin përkatës të Kuvendit dhe partive politike, me qëllim që të sigurohet që ligji është në përputhje me parimet e mësipërme. BE mbetet e gatshme për konsultime të mëtejshme.”
Ka disa ditë që Sindikata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë që ka hyrë në grevë, me kërkesën për rritje pagash.
Ditë më parë, në një takim me kryeministrin Ramush Haradinaj, kryetati i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, kishte refuzuar ofertën e kryeministrit për rritje pagash vetëm prej 10 për qind. SBASHK-u ka kërkuar që kjo rritje të jetë deri në 30 për qind, mbi kuotën e paraparë në Projektligjin për pagat.
Megjithatë një gjë e tillë sipas Haradinajt është e pamundur. Pas përfundimit të takimit, duke qenë se nuk ishin dakorduar, SBASHK-u ka bërë thirrje që të vazhdohet me grevën deri në plotësim të kërkesave.
Kujtojmë se në vitin 2017 kur po mbaheshin zgjedhjet, Ramush Haradinaj së bashku me Kadri Veselin, kishin nënshkruar një marrëveshje me Rrahman Jashrajn për rritje pagash, pasi të vinin në krye të Qeverisë./arbresh.info/
Një grua bie nga ura e re e Ibrit, shpëtohet nga një polic –...
Sunderland ndal Manchester Cityn, Arsenal mbetet në krye të ...
Egjipti, Katari dhe Turqia paralajmërojnë Hezbollahun: Dorëz...
Kurti mbi 309 mijë vota, Konjufca 240 mijë, 10 më të votuari...
Një natë pas Vitit të Ri, Prishtina renditet e 22-ta në botë...
Një shtetas turk 22-vjeç i vrarë në Çarshinë e Shkupit – I d...