Analistët: Politika e papërgjegjshme e kosovarëve, shtynë SHBA-të të marrin masa ndaj Kosovës

08:03 | 2 Mars 2019 | Elona Haxhiu

Raportimi në medie ditën e djeshme, se nëse Kosova nuk e heq taksën ndaj Serbisë, Amerika mund ta tërheqë ushtrinë, përkatësisht kampin “Bondsteel”, ka shkaktuar trazira në skenën politike kosovare, ku ka pasur përplasje mes pozitës dhe opozitës.

Një gjë e tillë fillimisht u deklarua nga Presidenti Thaçi, pastaj u konfirmua nga anëtarët e delegacionit shtetëror Kosovarë, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

Shqetësuese këtë gjë e ka konsideruar analisti politik, Ilir Mirena, i cili në një prononcim për Arbresh.info tha se ky është një kurth të cilin na kanë futur politikanët tanë, të cilët sipas tij janë të papërgjegjshëm për veprat që i bëjnë.

Siç thotë vet ai, kryeneçësia e politikanëve, bënë që SHBA-të të shtrojnë në tavolinë edhe opsione të tilla, si kjo e largimit të kampit të “Bondsteel”.

“Nuk do të doja as që të besojë  se do të vije deri tek ai momenti që SHBA të tërheqë trupat nga Kosova. Por, ajo që e bënë më shqetësuese krejt këtë situatë që është krijuar, është fakti se kemi mbërritur deri në atë pikë sa që mbështetësi më i madh i projektit të shtetësisë së Kosovës për shkak të kryeneçësisë së politikanëve tanë të detyrohen të shtrojnë në tavolinë edhe opsione të tilla, siç është largimi i trupave amerikane nga Kosova. Mendoj se në një situatë të tillë ne duhet ta kemi të qartë se me një Serbi armiqësore, me 5 shtete të BE-së që nuk e njohin Kosovën, me një Rusi që bënë lloj-lloj obstruksionesh për influencë në rajon, superfuqi botërore që nuk e njohin Kosovën, siç është Kina dhe India – jo që nuk e kemi luksin, por as që duhet ta mendojmë t’i vejmë në pyetje raportet dhe mbështetjen që Kosovës i ka ardhur dhe i vije nga ShBA. Miqësinë dhe mbështetjen amerikane ndaj Kosovës nuk mundemi që të marrim si diçka të mirëqenë, dhe ta garantuar. Kurthi ka na kanë futur politikanët tanë të papërgjegjshëm tashti duhet që ata vet të gjejnë mënyrë për të dalë prej tij.
Njëra prej tyre, është nisja e një negocimi për fatin e taksës ndaj mallrave serbe në Kosovë, siç edhe iu kanë propozuar zyrtarët e lartë amerikanë që ishin për vizitë në Kosovë”, tha Mirena.

Politologu, RamushTahiri, vlerëson se tërheqja e kampit “Bondsteel” nga Kosova, mund të ndodhte nëse Kosova bie ndesh me politikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Veç kësaj, ai për Arbresh.info theksoi se SHBA-të mundet t’i zvogëlojnë investimet strategjike dhe mund ta zvogëlojnë personelin diplomatik.

“Do të ishte e mundshme. Vendet që bien ndesh me politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë rast fatkeqësisht edhe Kosova dhe që nuk i marrin parasysh vërejtjet, ju nënshtrohen ndëshkimeve edhe nga masat që merren nga vet SHBA-të, por, edhe nga mekanizmat e organizatave ndërkombëtare. Nëse ata i marrin këto masa kjo është krejt ligjore, të cilët munden me bë edhe një listë të zezë të personaliteteve të Kosovës, munden edhe me i tërheq investimet që i kanë strategjike, munden me zvogëlua personelin diplomatik edhe munden me e zvogëlua kontingjentin ushtarak dhe misionin që ata e kanë bë. Nëse është mospajtim me politikën e Kosovës, që tek ne ende nuk po besojnë, as nuk po kanë guxim ta mendojnë që udhëheqësit tanë janë aq të papërgjegjshëm dhe përnjëmend janë duke i prishur marrëdhëniet me SHBA-të. Dhe do të ishte shumë keq nëse SHBA-të do ta penalizonin popullin dhe jo udhëheqësit e Kosovës, sepse populli nuk ka asnjë mekanizëm që të ndikoj tek udhëheqësit”, tha Tahiri.

E sipas analistit tjerët politik Blerim Burjani, te këto çështje mund të arrijmë edhe për shkak mos seriozitetit të kryeministrit Haradinaj ndaj kërkesave të SHBA-ve.

Sipas Burjanit, shkaku kryesor se Haradinaj e përkrahë taksën janë inatet personale me Partinë Demokratike të Kosovës.

Është një sjellje jo serioze, nënçmuese e institucioneve të Kosovës ndaj kërkesave te SHBA-së dhe BE-së. Nuk dihet se nga del ky komoditet i këtij njeriu si Kryeministër që kjo çështja e letrave te SHBA dhe anulimi i programeve te zhvillimit të Kosovës , mos përkrahja e FSK për transformim nga SHBA , ndalja e vizave atij i duken si shaka. Nëse duan të bëjnë politikë dhe mos me lënë Kosovën të shkëmbej territore, le të hynë në dialog dhe le të mbrojnë territorin e Kosovës aty ku duhet, e jo me taksa e cirka tjerë. Përshtypja ime është se PDK është e përgjegjëse kryesore pse ky njeri vazhdon të përkrahë taksën pa asnjë arsye”, tha Burjani./E.Haxhiu/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara