Revista prestigjioze amerikane “Time” e ka renditur kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, në mesin e, siç i ka cilësuar ajo, pesë personave të arratisur më të kërkuar në botë. Përveç Haradinajt, në këtë listë, janë Carles Puigdemont i Katalonjës, Fethullah Gulen i Turqisë, Julian Assange i Australisë dhe Mikheil Saakashvili i Gjeorgjisë. Por, kush janë këta katër të tjerët?
Carles Puigdemont
Kur Spanja i la pas vitet e Francos, mbajti një votim për Kushtetutën spanjolle. Populli i Katalonjës votoi në favor të asaj kushtetute, me mbi 90 për qind të votave, në vitin 1978, duke e bërë të paligjshme për rajonin që të shpallë pavarësinë nga Spanja, pa ndryshim të kushtetutës – gjë që mund të bëhet vetëm nga Parlamenti i Spanjës, në Madrid.
Gati 40 vjet më vonë, presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemont, çoi përpara një referendum për pavarësinë, pavarësisht pengesës nga kushtetuta. Votimi u bojkotua nga partitë kundër pavarësisë (sikurse në një referendum të ngjashëm më 2014), dhe iu nënshtrua një reagimi shtypës nga Madridi. Puigdemont përdori rezultatet e referendumit për të shpallur ndarjen e Katalonjës nga Spanja. Madridi – duke u thirrur në të drejtën e tij kushtetuese – shpërbëri Parlamentin e Katalonjës, dhe urdhëroi mbajtjen e zgjedhjeve të reja rajonale. Duke e ditur rrezikun e akuzave të mundshme për rebelim dhe nxitje, Puigdemont u arratis në Bruksel, ku po qëndron edhe sot.
Në zgjedhjet e parakohshme rajonale në Katalonjë, një bashkim partish pro-ndarjes përsëri doli fitues (ndonëse me vështirësi), dhe Puigdemont tani do që të rizgjedhet president. Dhe, përderisa ai thotë se është i përgatitur të qeverisë nëpërmjet Skype, Madridi deklarohet kundër. Mbetet të shihet se si do të ecën punët në javët e ardhshme. Por, separatizmi katalonas nuk është shuar, siç tregojnë zgjedhjet e dhjetorit. Madridi një ditë mund të detyrohet të lejë mbajtjen e një referendumi legal, pavarësisht se a do ta udhëheqë Puidgemont këtë nismë, apo jo.
Fethullah Gulen
Dikur në Turqi presidenti i vendit, Recep Tayyip Erdogan, konsiderohej reformator i vërtetë. Dhe, bashkë me aleatin e tij politik, klerikun Fethullah Gulen (që ka pas vetes miliona mbështetës, falë një rrjeti të gjerë prej 100 e më shumë shkollash dhe qendrash komunitare), Erdogan arriti të rifusë fenë në politikën deri asokohe laike të Turqisë. Atëbotë, ngritja e Erdoganit ishte lëvduar nga Perëndimi, si pjekje politike e vendit. Këtu kishte ndihmuar edhe lulëzimi i ekonomisë turke.
Më pas, Erdogan dhe Gulen u prishën, dhe ky i fundit u arratis në Pensilvani, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga ku publikisht mund të kritikonte qeverinë e Erdoganit nga një distancë e sigurt. Erdogan i kërkon Uashingtonit që ta ekstradojë Gulenin në Turqi që disa vite. Por, Amerika refuzon një gjë të tillë. Më pas, ndodhi puçi i dështuar i korrikut të 2016’s, për të cilin Erdogan e fajësoi Gulenin dhe mbështetësit e tij. Spastrimi hakmarrës i Erdoganit ka përfshirë arrestimin e më shumë se 50.000 njerëzve dhe i ka kushtuar rreth 150.000 njerëzve me humbje të vendeve të punës.
Në ndërkohë, marrëdhëniet amerikane-turke vetëm sa janë përkeqësuar. Tani që lufta kundër ISIS’it ka kaluar në Siri, beteja për atë që vjen më pas ka nisur. Amerika ka lajmëruar javën e kaluar se synon t’i ndihmojë aleatët e saj në terren – kurdët e Sirisë – që të krijojnë një forcë të sigurisë prej 30.000 vetash. Erdogan, i cili tutet se kjo do ta forcojë komunitetin e konsiderueshëm kurd, që tashmë jeton brenda kufijve të Sirisë, ka nisur një ofensivë kundër këtyre kurdëve të mbështetur nga Amerika. Kjo nënkupton se tani janë dy vende anëtare të NATO’s si palë kundërshtare në një luftë direkte, duke dëmtuar besimin në NATO’n, në një kohë kur ekziston disponimi për reforma të reja të mbrojtjes së përbashkët evropiane. Gulen, ndërkohë, vazhdon të jetojë në Pensilvani.
Julian Assange
Shtetasi australian u bë super i famshëm në mbarë botën, si udhëheqës i WikiLeaks, të cilën e ka themeluar më 2006. Më 2007, ky ueb-sajt publikoi udhërrëfyesin e procedurave që SHBA e zbaton në Gjirin e Guantanamos; më 2008, publikoi emailat e Sarah Palin nga llogaria e saj private. Më 2010, WikiLeaks publikoi mbi 90.000 dokumente sekrete për Luftën e Afganistanit.
Ky ishte edhe viti kur dy vullnetare të WikiLeaks e denoncuan Assangen tek autoritetet suedeze për gjoja sulm seksual. Assange iu dorëzua autoriteteve britanike në Londër, por kundërshtoi në Apel kërkesën e Suedisë për ekstradimin e tij. Pas një varg apelesh, Britania vendosi t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës suedeze, duke nxitur Assangen të arratiset në Ambasadën ekuadoriane në Londër, më 2012. Ai fshihet aty që atëherë. Ndonëse Suedia ka tërhequr kërkesën për ekstradimin e tij vitin e kaluar, prokurorët amerikanë po përgatitin akuzat e tyre ndaj tij, për ekspozim të materialeve sekrete.
Assanget i është dhënë azili nga ish-presidenti i Ekuadorit, Rafael Correa, i cili kënaqej kur sfidonte fuqitë perëndimore. Por, presidenti i ri i Ekuadorit, Lenin Moreno, e ka quajtur Assangen “më shumë se një telash”. Ai nuk do që askush ta akuzojë se po i nënshtrohet trysnisë amerikane, por gjithashtu dëshiron një fillim të ri me Uashingtonit. Për fatin e keq të Morenos, Ekuadori ende s’ka plan si ta nxjerrë Assangen jashtë objektit të ambasadës, në të cilin ka hyrë mbi pesë vjet më parë.
Mikheil Saakashvili
I arsimuar në Perëndim, Saakashvili ishte njëri prej udhëheqësve të “Revolucionit Rozë” që kaloi pa dhunë më 2003; më pas, ai shërbeu si president i Gjeorgjisë nga viti 2004 deri më 2013. Pasi u largua nga pushteti, i akuzuar për keqpërdorim parash dhe shkeljesh të të drejtave të njeriut, Saakashvili u largua drejt Shteteve të Bashkuara. Por, më 2015, ai pranoi një ofertë nga presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, për t’u bërë guvernator i rajonit të Odesës në Ukrainë, dhe për të sjellë reforma shumë të nevojshme. Ai hoqi dorë nga shtetësia gjeorgjiane, për t’u bërë shtetas i Ukrainës.
Në nëntor të 2016’s, ai dha dorëheqje nga posti i tij, duke mbajtur një konferencë për media, ku, plot zemërim, akuzoi Poroshenkon se personalisht e ka mbështetur korrupsionin në Ukrainë dhe “bandat lokale të Odesës”. Kjo, sigurisht, nuk i la atij shumë miq në elitën qeveritare të Ukrainës, të cilët, që atëherë, e akuzojnë se i ka ndihmuar një organizate kriminale, të udhëhequr nga ish-presidenti (pro-Rusi) i Ukrainës, Viktor Yanukovych. Poroshenko ia ka hequr atij shtetësinë ukrainase në korrik të vitit të kaluar, duke e bërë person pa shtetësi.
Në dhjetorin që lamë pas, u publikuan pamje të Saakashvilit duke bërë përpjekje që t’i shmanget policisë në ndërtesa të Kievit. Kur policia më në fund e kapi atë, turmat e mbështetësve të tij rrethuan automjetin që duhej ta çonte atë në një qendër burgimi, dhe ai arriti të arratiset. /Express/
Si mund ta shfrytëzojë Kosova momentin gjeopolitik për t’u a...
Kurti në konakun e Tahir Çakës: Kaçaniku qytet i rezistencës
Kullat e Lezhës drejt rijetëzimit, rreth 200 objekte drejt r...
Edicioni i pestë i “Big Brother VIP”, 14 banorët që u bënë p...
Rusia thotë se bisedimet në Floridë ishin “konstruktive”
Hamza viziton bizneset në Gjakovë: Do të ndryshojmë ligjin p...