I huaji brenda të humburit

12:25 | 16 Janar 2018
Arbresh.info

 “ I huaji” dhe “ I humburi” , dy romane që kanë të bëjnë me fatin e individit në shoqëri, se si ata shihen para botës dhe para syve të të tjerëve. Se si bota i koncepton ata dhe se si i detyron në njëfarë mënyre të ndihen të humbur dhe të huaj. Tek ta gjithnjë mbizotërojnë mendimet, dilemat dhe mbyllja në vetvete, në atë botën e tyre të brendshme filozofike duke e kuptuar kotësinë e ekzistencës.

Krimi i Mersos është një krim “ i panjohur” , kreu një vrasje absurde, prej së cilës gjykatësit e shpërfillin, e mohojnë si individ.  Edhe i humburi, mohoet prej shoqërisë me vetë faktin se i qëndron besnik vendit të tij dhe parimeve të tjera, do të thotë ai qartazi e sheh atë realitet, prej të cilit ndien neveri dhe njëfarë urrejtje.

Sa i përket llojit të prozës, që të dyja janë romane, që ngrisin lart individin e tëhuajësuar, të humbur e të huaj. Janë romane që pasqyrojnë qartë shoqërinë dhe reflektojnë dukshëm mbi shplaosjen e realitetit.

I pari trajton historinë e një personazhi i cili bëhet vrasës, vepër kjo  e ndarë në dy pjesë, ngjarja e së cilës zhvillohet në kohën e tashme dhe gjithçka shfaqet në mënyrë kronologjike, ndërsa te i

“ I humburi” ngjarja shtjellohet në disa kapituj, në kohën e tashme dhe në të kaluarën, prej nga çdo gjë shihet në sytë dhe në perspektivën e një fëmiu, të quajtur Thesar Lumi. Kjo lojë me kohën është evidente vetëm për përçimin e një mesazhi, të kalueshmërisë së jetës pa bërë asgjë, me tendencë për të shfaqur kotësinë  jetësore.

Protagonisti Thesar Lumi qëndron në atdhe, prej nga kupton shumëçka dhe në të njejtën kohë asgjë. Qëndron jo për t’u gjykuar e për t’u dënuar parimisht siç ndodh te Merso i Kamysë, por qëndron për të vëzhguar dhe për të konkluduar shumëçka. Për të qëndruar stoik në qytetin e pluhurosur, për të vazhduar  jetën nga pikëpamja e tij. Të jetonte i lumtur dhe njëkohësisht i kotë. Që në fillim është fjalia që të mishëron me heroin dhe të bën ta kuptosh atë:

             “ Për të gjithë e në të gjitha pikëpamjet kam qenë e jam njeriu kot, i humbur ”

Ideja thelbësore shfaqet me ndihmën e retrospektivave, kujtimeve të së kaluarës prej nga kuptohet: nënshtrimi, dhuna, përbuzja, kategori këto që implikoheshin gjithnjë në shoqëri.

Potencohet zgjedhja e lirë e individit, prej nga Thesari qëndron si vëzhgues në vendin e tij, ndërsa të tjerët iknin për ta gjetur lirinë. Merso po ashtu tenton ta ketë atë liri me vrasjen absurde që ai bën në pjesën e parë, në të cilën eshtë ajo zgjedhja e lirë e heroit  kryesor duke i përcaktuar gjërat qysh ai i sheh, duke vepruar ashtu siç ai dëshiron, kalohet në pjesën e dytë, në procesin gjyqësor, në të cilin fatin e heroit e percaktojnë të tjerët, bëhej fjalë për fatin e Mersos, por nuk kërkohej fjala e tij. Përbuzja ndaj Mersos, që shtjellohet në pjesën e dytë është një karakteristikë që personazhin tonë e dërgon drejt heshtjes, prej nga nuk kishte fuqi të mbrohej më:

“… Me një shpërthim e një shikim aq triumfues në drejtimin tim saqë për herë të parë pas shumë vitesh pata një dëshirë të marrë të qaja sepse e ndjeva sa shumë më përbuznin gjithë këta njerëz ”.

Linjat e absurditetit shihen haptazi në momentin kur Merso nuk e quan faj vrasjen, por e quan si fatkeqësi, me arsyetime të kota se gjoja dielli dhe vapa ishin shkaktarët kryesorë që e kishin nxitur për atë vrasje, dhe këtë ai e konsideron si fatkeqësi, pikërisht këtu shfaqet si hero i absurdit.  Ndërsa, romani i Kongolit shquhet si roman i absurdit sepse Thesar Lumi do të duhej ta urrente një person të cilin nuk e njihte fare, sepse shoqëria ia impononte një gjë të tillë, do të duhej t’i bindej parimeve dhe dromcave konvencionale të shoqërisë, pra kemi përballjen e tij  me atë realitet të vrazhdë dhe dëshirën për të mos qenë pjesë e tij.

Në aspektin filozofik binomi i dy botëve i dallon këta dy protagonistë si: bota e brendshme, ajo e Mersos, e izoluara, ajo e burgut, ku çdo dëshirë dhe çdo shpresë lidhej me të qenit i lirë dhe çdo gjë shihej në aspektin e “grilave” “të një ndalese”. Qelia për të konceptohej si shuarje e jetës:

“…nga kjo ditë e ndjeva se isha në qeli dhe se jeta ime ishte ndalur aty”,  pra filloi t’i bindej asaj të vërtete duke e konsideruar veten si pa fuqi veprimi duke lënë gjithçka në duart e të tjerëve, si përcaktimin e fatit të tij dhe paragjykimin për të, duke  u bërë një individ tërësisht i heshtur duke e shijuar të tashmen.

Bota e jashtme e Thesar Lumit është ajo e cila ndërlidhej me pamjen e qytetit të pluhurosur, të zhurmshëm, ndërlidhej me vëzhgimet me dhunën e dikujt ndaj tjetrit. Gjithçka zhvillohej në një kaos, në një lloj ankthi që ndikon direkt në personalitetin e heroit kryesor dhe në gjendjen e brendshme shpirtërore të tij.

Fati i dy heronjve përcaktohej në një sfond dilemash, si ekzistenca, jeta dhe kotësia e jetës. Kënaqeshin me të tashmen duke mos pasur fare frikë prej vdekjes. Ekzistenca për ta ishte si mosekzistencë. Mospërfillja evidentohet tek të dy po ashtu edhe nënshtrimi i “të fortit” ndaj “mosreaguesit”. Pikërisht ky lloj relacioni haset atëherë kur babai i Thesar Lumit “ i përulet” drejtorit të shkollës, Xhodës së Marrë. Pra njerëzit i binden nënshtrimit dhe duan të nënshtrojnë.

Babain, vëzhguesi ynë e konsideron si asgjë, si frikacak  dhe të njejtë si të tjerët. Në njëfarë mënyre drejtori ia kishte vrarë simbolin e idesë së babait dhe shpresës se i ati do ta shihte atë realitet dhe do të ishte shtyllë përkrahëse e tij.

“ Vrasja” e imazhit e shpie vëzhguesin tonë drejt një vrasje tjetër, jo  ndaj njeriut por ndaj një kafshe të afërt për Vilmën, ngase lotët e saj janë dhimbje për prindin. Ideja e tillë lind rastësisht dhe realizohet me ndihmën e një personazhi tjetër. Ideja e rastësishme haset edhe tek Merso, në momentin kur qëllon ndaj arabit, edhe aty në njëfarë mënyre shkak i kësaj vrasje është hakmarrja ndaj gruas tradhëtare të Rajmondit. Dallimi në këto dy lloj vrasje është se akti ndaj qenit të Vilmës nuk gjykohet më tutje. E veçanta e vrasjes së arabit është se gjatë procesit nuk merren vetëm me krimin që e kishte bërë Merso, por ata merren edhe me karakterin e personazhit, duke ia bërë një analizë gjatë sjelljes së tij në varrimin e së ëmës, ndaj së kaluarës së tij, se pse nuk kishte qëndruar afër nënës e shumë gjëra të tjera. Do të thotë nuk ishte e qartë se për cfarë arsye akuzohej i pandehuri, se kishte varrosur të ëmën apo pse e kishte vrarë një njeri?.

Vrasjet quheshin si mëkat, por asnjëri nga personazhet nuk pendohej për krimin  e bërë, anipse Merso dënohej me vdekje nga ky krim i rastësishëm, prej të cilit nuk kishte as interes dhe as aryse të forta mbrojtjeje.

Hasim edhe mbitheksimin e raportit femër – mashkull, konkretisht linjën e dashurisë ku femra merr një veçanti në këto vepra, por gjithnjë duke pasur dallime të shumëta.

Merso dhe Maria, një kontakt i cili artikulon idenë e dëshirës dhe jo të dashurisë, idenë epshore. Ai nuk dashuronte, rëndësi për të ka epshi, dëshironte të rrinte me Marian, por nuk e dashuronte, madje ishte i gatshëm të martohej edhe pse nuk e ndjente.

Protagonisti i Kongolit ka kontakt me Lindën, vajzë kjo me përvojë në shumëçka, ajo madje ia shpalos pafuqinë Thesar Lumit, impotencën e tij, paaftësinë në anën seksuale. Raporti  me Sonjen dhe Vilmën ishte disi më ndryshe, që të dyja i ndien të afërta, qofshin ato si dashuri rinore apo si dashuri e vërtetë e një moshe më të rritur.

Vilma për të ishte një qenie engjëllore e cila nuk meritoi të largohej në atë mënyrë, ajo s’mundi t’i bëjë ballë dhunimit të Fagut prej nga bëri vetëvrasje dhe iku pa lënë asgjë, iku nga një torturë e dhimbshme si dhunimi

             “ Vdekja është gjumë i amshuar. Vdekja për së gjalli është torturë në amshim”  .

I vetmi synim i Thesar Lumit ishte të jetonte i lirë, qoftë në mendime, në raport me femrat apo i lirë në botën e vetmisë së tij, brenda së cilës sillej vërdallë si i humbur. Projektimin  e vetes ai e kishte kuptuar te Ladi dhe Sonja, personazhe këta që e kishin parë degradimin dhe çmendurinë e shoqërisë.

Gjithnjë ide kyçe e krijimeve në fjalë të këtyre dy autorëve është trekëndëshi: i humbur, i lumtur dhe i huaj.

Individi është i humbur atëherë kur e sheh qartë realitetin, atë realitet me njollë të zezë prej nga revoltohet dhe individi nuk ka fuqi veprimi e efekt ndryshimi dhe ai s’do të jetë pjesë e tij.

Element tjetër i rëndësishëm është se e tashmja jetohej brenda një bote filozofike, brenda një bote të mendimit dhe të kujtimeve. Përderisa Merso mund të kalojë një ditë në burg aty ai mund të kalojë edhe një jetë të tërë, e rëndësishme për të është të jesh në një vend ku mplekset imagjinata njerëzore, do të thotë mbitheksohet bota e mendimit, e iluzioneve e filozofisë dhe e ekzistencës njerëzore. Bota e perceptimit të gjërave që shihen, bota e mendimeve të lira, ajo e vetmisë dhe shpresa për të qenë sërish në liri! I humburi komunikon e monologon qoftë me veten, qoftë me nënshtruesit, në lidhje me atë që sheh:

“Në palën e dheut ka vetëm një grusht kockash. Kurse unë e ti rrojmë. Për të torturuar njëri – tjetrin, derisa të na sosen ditët. Ti i çmendur, unë i humbur”

Shihet qartë, lufta mes torturuesit dhe individit që tenton të reagojë. Torturuesi, pushteti ose dhunuesi si “ i çmendur ” që nënshtron shoqërinë dhe i humburi si hetuesi asaj atmosfere.

Shoqëria me absurditetin e  saj e largon, e përjashton, e paragjykon individin dhe e percepton atë nga prizmi i vet.

Që të dy këta autorë shpërfaqin personazhin e vendosur dhe mosdorëzues. Në suaza të botës filozofike të tyre shfaqen edhe shenjat e ateizimit. Merso nuk  bindet mëkatit, as pas takimit me priftin, i cili provonte ta bindte të besonte në Zot  dhe të kërkonte falje, madje ai ia sjell ikonën e Krishtit përpara, duke i thënë se: para këtij kanë derdhur lot kriminelë të shumtë, e ju qëndroni kaq i heshtur e i tërhequr?! Pra këtu shihen qartë ato nuanca të atezimit, të mosbesimit në Zot dhe të atyre pikëpamjeve personale të pandryshueshme.

Të humburin nuk provonte ta bindte askush, ai i ritheksonte vetes se nuk besonte në asgjë, besonte në kotësinë e pafundme të ekzistencës së tij e jo në dogma e parime fetare:

          “ Mirëpo, fatkeqësisht, si tërë brezi im, jam rritur pa ndjenja fetare”.

Simbolikat janë të paevitueshme  dhe tejet të rëndësishme, por që kanë dallime në konotimin, deshifrimin dhe në intepretimin e tyre, do të thotë njëra dallon nga tjetra.

Te “ I huaji ” gjykata simbolizon shoqërinë, shoqëria është ajo që mundohet ta shfajsojë, ta arsyetojë veprën e kryer ose ta ndëshkojë krimin. Kjo ndërlidhet edhe me përditshmërinë, sjelljet dhe veprimet tona, të cilat gjykohen e vlerësohen nga të tjerët. Simbolika e gjykatës, e cila identifikohet si shoqëri fuqizohet edhe më shumë kur pothuajse çdo personazh i pjesës së parë si:  Rajmondi, Salamano, Maria etj, rishfaqen si dëshmitarë në pjesën e dytë, pikërisht në gjykatë. Do të thotë ekzistojnë çdoherë ata njerëz që provojnë të shpalosin realitetin dhe ata që i qëndrojnë në krah heroit kryesor.

Simbolikat figurativisht shprehen më ndryshe te Kongoli dhe janë të shprehura me një efekt më të madh estetik. Fillimisht “ qyteti i pluhurosur” shpreh atë hapësirën me njerëz “ të ndotur” e të pavlerë, shpreh njëfarë mjegulle dhe njëfarë paqartësie që potencon njeriun e vuajtur. Bota e njeriut ballafaqohej me dy ngjyra, me dy kontraste, me të bardhën dhe me të zezën. E bardha që aludon me qetësinë, lumturinë dhe bukurinë, që rrallë shihej në shoqëri dhe e zeza, me mllefin, urrejtjen dhe me humbjen në një humnerë, prej nga premisat e së dytës vërehen dukshëm kudo.

Pastaj shfaqja e një “ karrige bosh ” simbolizon jetën e boshatisur të individit dhe vetminë e tij. Largimi i Vilmës nga ajo “ karrige ” mund të na japë një paralajmrim në lidhje më një imazh  të vdekjes së saj të mundshme, e cila realizohet në fund të romanit, ku prej idesë së individit konkuldohet ideja e kolektivitetit, çdonjëri do të ikë  drejt botës së asgjësë.

Prania e tigrit dhe gjuha komunikuese me të thekson dhe simbolizon vrazhdësinë, kahjen e mendimeve negative, të egra dhe të pashpresa, prej nga haset binomi tigër – njeri, hipotetikisht binomi i mendimeve me ashpërsinë, prej së cilit shtjellohen pikëpyetja të shumëta dhe lindin hamendje të mëdha. Ekzistonte frika prej atij tigri vdekjembartës, i cili përgjonte gjithmonë, ishte, frika ndaj së keqës dhe ndaj atij sistemi të kalbur.

Simbolika më e fortë dhe më domethënëse është ajo e varrit, dhe qëllimisht trajtohet krejt në fund të romanit “ I humburi”. Dheu i varrezave përshkruhej si i ftohtë, bryma e cila i kishte mbuluar penalizonte identifikimin e varreve të të vdekurve. E gjithë kjo simbolikë shpreh kotësinë e jetës, vdekjen dhe stoicizmin e personazhit për të qenë i lirë në mendime e në konkluzë se çdo gjë ishte dhe do të jetë një hiç i vërtetë.

Vdekja del në premisa të ndryshme, dikush e mirëpret atë e dikush e urren. Ngjarjet përcjellin një numër të madh të vdekjeve, duke u shkaktuar njëra pas tjetrës. Duke filluar me vdekjen e nënës së Mersos , për të vazhduar me atë të arabit e krejt në fund të romanit me vdekjen e vetë protagonistit. Merso nuk i frikësohet fare vdekjes, atë nuk e preokuponte fakti  se si vdes:

“ Në thelb, e dija se të vdesësh tridhjetë apo shtatëdhjetë vjeç pak ka rëndësi sepse, sigurisht, në të dyja rastet, ka burra e gra të tjerë që do të jetojnë e kjo do të vazhdojë gjatë mijëra vjetësh”

Ai arrin në përfundim me idenë se vdekja është një  realitet i pashmangshëm i jetës njerëzore dhe ai e pranon realitetin e ekzekutimit të tij pa dëshpërim, ai  madje kërkon njerëz në ditën e ekzekutimit të tij që ta prisnin me britma urrejtjeje.

Potencohet edhe vdekja e detyruar, pra vetëvrasja si pasojë e lodhjes nga jeta dhe e pakuptimësisë së saj, vetëvrasja e njerëzve të dashur të Thesar Lumit, ajo e Ladit dhe e Vilmës shpreh fuqishëm individin e revoltuar dhe të dërmuar, individin që e shfaq nënshtrimin e shoqërisë me anë të veprimit të tyre, pra me vetëvrasje.

Pikërisht nga varrimi i nënës së Mersos kuptojmë relacionin bir- nënë, prej nga ai nuk ndjen aq mërzi për të ëmën, nuk do ta shohë atë , nuk qan fare dhe as nuk i afrohet arkivolit të saj, nuk shfaq asnjë emocion në varrim, ishte shumë i qetë në atë aspekt, madje s’donte as ta shihte për herë të fundit. Çdo gjë e merrte me gjakftohtësi dhe me një indiferencë transparente.

Relacioni i të humburit me prindërit, shpreh troç fëmiun e zhgënjyer nga shpresa e përmirësismit të jetës. Por në krahasim me Merson ky ka një lloj kontakti me familjen e tij edhe pse ai kontakt ishte i rrallë dhe i zbehtë. Ai largon të atin ideal nga bota e mendimeve të tij dhe fikson një baba si asgjë, frikacak dhe të nënshtruar.

Lirshmëria e mendimeve, arratisja drejt një bote të vetmuar e shpesh imagjinative, përjashtimi apo dëbimi nga shoqëria si dhe vrazhdësia e atij realiteti i dërgon heronjtë kryesorë drejt botës së hiçit. Në momentin kur të dy kishin kuptuar mekanizmat e shoqërisë dhe kotësinë e ekzistencës, pikërisht atëherë ata ndiheshin si të humbur e të huaj. Përçohet ajo ideja e jetës së njeriut pa arsye dhe pa qëllim./Arbersh.info/

Shkruan: Elda Elezkurtaj

Shpërndaje në rrjete sociale