Ministri Gashi viziton Hungarinë për konkretizimin e marrëveshjes për ndërtimin e stadiumit kombëtar

16:06 | 7 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, është duke qëndruar në Budapest të Hungarisë për një vizitë zyrtare, ku po zhvillon takime të shumta me përfaqësues të shtetit hungarez, për të diskutuar për mundësitë konkrete të mbështetjes financiare të projektit për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar të Kosovës, përmes kredisë së butë që Hungaria mund t’ia ofrojë Kosovës. 

Ministria e Sportit ka thënë në një komunikatë për media se sot gjatë ditës ministri Gashi ka takuar sekretarin e shtetit për Administratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Hungarisë, Csaba Balogh, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy shteteve, transmeton Express.

Një nga temat kryesore të bisedimit ka qenë zbatimi i projekteve konkrete, siç është ai i ndërtimit të Stadiumit Kombëtar të Kosovës, ku të dy janë pajtuar për të shikuar mundësinë e mbështetjes financiare të Kosovës për këtë projekt, përmes kredisë së butë që mund ta japë Hungaria.

“Gjithashtu Ministri Gashi është takuar edhe me Komisionarin Ministror të Qeverisë hungareze Istvan Joo, me të cilin kanë diskutuar për mundësitë konkrete të mbështetjes financiare të projektit për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar të Kosovës, përmes kredisë së butë që Hungaria mund ta ofrojë për Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Csaba Balogh dhe Istvan Joo kanë rikonfirmuar vullnetin e shtetit hungarez për të realizuar edhe projekte të tjera jo vetëm ne fushën sportive por edhe në ato të kulturës dhe trashëgimisë kulturore, sipas komunikatës.

Ministri Gashi dhe MKRS-ja do mbetën të përkushtuar që në pjesën e parë të vitit të ardhshëm të fillojnë proceduarat për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar, si njërin ndër projektet kapitale më të rëndësishme në fushën e sportit.

Gjatë ditës së sotme Ministri Gashi do të vizitojë edhe Stadiumin Kombëtar “Groupama Arena” në Budapest, për të parë nga afër përvojat e shtetit hungarez në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e stadiumeve nacionale. /Express/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale