Veprimtarët e çështjes çame, takohen me përfaqësues të institucioneve në Shqipëri

09:38 | 11 Maj 2017
Arbresh.info

Shoqata “Çamëria”, e themeluar në shtator të vitit të kaluar vazhdon të hapë degët e saj në Kosovë. Shoqata e cila thotë se po punon në sensibilizimin e çështjes çame tashmë ka themeluar 30 degë në komuna të ndryshme të Kosovës, po ashtu në Kosovën Lindore, Mal të Zi e Sangjak.

Dega e shoqatës “Çamëria” në Fushë Kosovë, ka vazhduar me një sërë aktivitetesh me të rinjtë të cilët iu janë bashkangjitur në vazhdimësi për të mbajtur gjallë frymën çame.

Ditë më parë, kjo shoqatë, ka zgjedhur kryetaren e të rinjve të  shoqatës ‘Çamëria’, Donjeta Morina dhe anëtarë të tjerë që do ta përfaqësojnë shoqatën në  procese të ndryshme rinore.

Gjithashtu, së fundi Dega e shoqatës “Çamëria” në Fushë Kosovë, ka organizuar vizita të ndryshme në Kosovë dhe në Shqipëri ku janë takuar me nënkryetarin e Parlamentit të Shqipërisë, Shpëtim Idrizi dhe deputeten Melisa Doda.

17238959_10155303953462223_1416712497_n

Në takim është diskutuar  për sensibilizimin rreth çështjes çame dhe proceseve të tjera.

“Shqiptarët, në mënyrë të vazhdueshme kanë qenë pjesë e rëndësishme e proceseve që janë  lidhur me atdhetarizmin, kulturën, e bashkimin e shqiptarëve kudo që ndodhen në një frymë të përbashkët kombëtare”, është shprehur kryetari i shoqatës Çamëria’, dega në Fushë Kosovë Përparim Uka.

18379059_10155510324412223_532830675_o

Historiku i çështjes çame

Çështja çame dhe përgjithësisht çështja e minoritetit shqiptar në Greqi, lindi me vendimin e Konferencës së Londrës më 1913, e cila e shkëputi këtë trevë shqiptare dhe ia aneksoi atë Greqisë.

Që nga kjo kohë fillon një presion i vazhdueshëm, një politikë sistematike e shtetit grek dhe e forcave të ndryshme ultra-nacionaliste për shkombëtarizimin e kësaj treve. Për këtë qëllim u përdorën të gjitha mënyrat, si tatimet e rënda, grabitja e tokës, përjashtimi i popullsisë nga pjesëmarrja në administratën shtetërore, ndalimi i dhunshëm i arsimit në gjuhën amtare, madje edhe në shkollat fillore, vrasjet, burgimet, dënimi me dhunë deri në masakrat e përgjakshme.

auto_qameria1416759340

Vlen të përmendet këtu që paralelizmi që i është bërë popullsisë Çame me atë Arvanite, nga qarqet shoviniste greke, tenton të hedhë poshtë të drejtën historike të autoktonisë Çame duke supozuar se janë të ardhur në Greqi ashtu si dhe Arvanitasit, gjatë periudhave të ndryshme të perandorisë Bizantine.

Kjo gjë është e vërtetë vetëm për Arvanitasit e jo për popullsinë Çame, historia e të cilës në këtë trevë shkon në kufijtë e mitologjisë. Vetë historiani grek Tukididi, që shkroi për Luftën e Peloponezit, pranon se kur forcat Athinase u futën në gjirin e Ambrakisë takuan një popullsi lokale që nuk fliste greqisht por fliste barbarisht./arbresh.info