Muja: 49 vjet të jetës sime ia kam përkushtuar qytetarëve

17:59 | 9 Qershor 2015
M. A.

Është mbajtur seancë dëgjimore për rastin e Ramadan Mujës dhe pesë zyrtarëve të tjerë të komunës së Prizrenit lidhur me akuzat e ngritura për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Seanca dëgjimore u mbajt pa prezencën e prokurorëve, të cilët i arsyetoi gjyqtari kryesor nga EULEX-i, Piotr Bojarczuk, duke thënë se kishin angazhime të tjera dhe se mosprezenca e prokurorit nuk paraqet problem për mbajtjen dhe vazhdimin e seancës.

Pala mbrojtëse pasi që u lexua raporti i gjyqtarit kryesor lidhur me këtë proces gjyqësor, u deklaruan se klientët e tyre janë të pafajshëm, dhe se nuk kanë bërë shkelje ligjore, duke kërkuar kështu që vendimi i vitit 2014 për dënimet e shpallura ose të anulohet ose sërish të kthehet në rigjykim.

Avokati mbrojtës i kryetarit të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, Ruzhdi Berisha tha se nuk është në kompetencat e kryetarit të komunës që të merret me çështje kadastrale, duke iu referuar kështu edhe pikës së parë të aktgjykimit me të cilën i pandehurit Muja edhe akuzohet.

Berisha më tej tha se klienti i tij në asnjë mënyrë nuk është fajtor për akuzat të cilat janë ngritur kundër tij.

E në këtë seancë përveç Berishës, Muja kishte edhe një tjetër përfaqësues ligjor, Tomë Gashin, i cili tha se procesi kundër klientit të tij është proces politik, dhe se i njëjti ka vepruar për interesa të përgjithshëm të popullit të Prizrenit, dhe sikur të mos ishte kështu sipas Gashit, Muja nuk do të ishte zgjedhur për tri mandate radhazi kryetar i Prizrenit.

“Akteri i vetëm për të cilën është duke u luftuar në këtë sallë gjykimit është me ardhur drejtësia në vend që me ardhur një aktgjykim për të cilin populli i Kosovës do t’i besoj por posaçërisht populli i Prizrenit, profesor Ramadan Mujën e kanë zgjedh tri herë, profesor Ramadan Muja është zgjedh tri herë si kryetar i komunës së Prizrenit, por posaçërisht është me rëndësi që herën e fundit gjatë procedurës penale, i bien që populli i Prizrenit, popullatës nuk i ka besuar insinuatave të prokurorisë”, tha Gashi, raporton Kosovapress.

Përveç avokatëve të Mujës, të pranishëm në seancën dëgjimore ishin edhe avokatët e të pesë të akuzuarve të tjerë për shpërdorim detyre, të cilët kërkuan që klientët e tyre të lirohen nga akuzat, dhe se lënda në tërësi ose të zhvlerësohet ose të shkoj në rigjykim.

Të pandehurit e tjerë janë Sadik Paçarizi, Avni Ademaj, Kadri Ukimeri, Avdullah Tejeci dhe Minir Krasniqi, të cilët po ashtu patën nga një fjalë rasti lidhur me procesin në të cilin edhe janë të përfshirë.

Ndërkohë edhe Muja u deklarua lidhur me këtë rast duke thënë se beson në drejtësinë e Trupit Gjykues dhe se ai gjatë tërë jetës së tij ka punuar vetëm për të mirën e komunitetit në të cilin jeton.

“Kam një përvojë të gjatë 49 vjeçare, gjatë të cilës kam punuar gjithmonë në favor të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe më gjerë, 41 vjet prej gjithë kësaj përvoje i kam shfrytëzuar në arsimimin dhe edukimin e gjeneratave edhe për veprat për të cilat po akuzohem, unë do të vazhdoj të punoj përsëri në favorin e qytetarëve, sepse siç tha zotëri Tomë në faqen 53 të aktgjykimit është formuluar ajo thënia e drejtë nga gjykata në favorin tim se të gjitha veprimet që i kam bërë deri më tani kanë shkuar në interesin madhor të qytetarëve te Kosovës”, tha Muja.

Ndërkaq pas përfundimit të deklaratave të të gjitha palëve, gjyqtari ndërkombëtar i kolegjit gjyqësor Bojarczuk, tha se kolegji në përbërjen edhe të dy gjyqtarëve vendorë Driton Muharremit dhe Abdullah Ahmetit, pasi të ketë pleqnuar çështjen, mbi bazën e të gjeturave do të marr një vendim, të cilin më pastaj do t’ua bëjë të ditur palëve përmes gjykatës së shkalles së parë brenda afatit ligjor.

Gjashtë të akuzuarit në rastin “Muja dhe të tjerët”, akuzohen se kanë kryer vepër penale me qëllim dhe për arsye të sjelljes së dobisë pasurore për të tjerët, nuk kanë zbatuar një vendim të Gjykatës Supreme, kanë dhënë në shfrytëzim tokën që ishte nën administrimin e Agjensionit Kosovar të Privatizimit dhe në një rast tjetër kanë dhënë në shfrytëzim pa pagesë tokën e komunës, pa përfillur procedurat ligjore.

Për këto akuza, Muja në shkallën e parë ishte dënuar me 2 vjet burgim me kusht dhe njëkohësisht i është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh. Ndërsa edhe pesë zyrtarët e tjerë ishin dënuar.

Minir Krasniqi, ish-drejtor i Administratës Publike u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht, Kadri Ukimeri, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit u dënuan me 8 muaj burgim me kusht dhe Avni Ademaj, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrit u dënua me 5 muaj burgim me kusht.

Shpërndaje në rrjete sociale