Qindra organizata humanitare në Kosovë kanë qëllime fetare

21:17 | 8 Qershor 2015
M. A.

Ndonëse kanë kaluar 15 vjet nga përfundimi i luftës dhe Kosova tashmë cilësohet si një vend posttranzicional, në vend ende veprojnë qindra organizata joqeveritare që thirrën në qëllime humanitare, të bamirësisë e të rehabilitimit të vendeve në tranzicion.

Shumica e këtyre organizatave kanë karakter fetar, siç janë edhe “Dëshmitarët e Jehovait”, të cilët tashmë kanë një mbështetje jo pak të gjerë, raporton KTV.

Çifti Kameri nga Prishtina që vijnë nga familje me origjinë myslimane, kanë pohuar se janë pagëzuar si Dëshmitarë të Jehovait nga bindja dhe vullneti.

Ngjashëm ka vepruar edhe juristja Avnora Avdiaj, e cila ka vite që është pagëzuar.

Sipas Ilir Gashit nga kjo organizatë, qëllimi i tyre është përhapja e fjalës së Zotit.

Për Ipeshkëvinë e Kosovës, këto organizata nuk paraqesin ndonjë problem, për sa kohë që ato nuk dalin jashtë domenit të tyre.

Ndërsa Bashkësia Islame e Kosovës ka kërkuar më shumë kontroll nga institucionet shtetërore ndaj veprimtarisë së këtyre organizatave.

Ndërkohë që veprimtaria e këtyre organizatave shpeshherë është parë si një rrezik për harmoninë fetare në vend.

Yll Rugova nga Shoqëria Sekulariste për Mendim Kritik, ka tërhequr vëmendjen e shtetit për më shumë kujdes ndaj organizatave joqeveritare të cilido religjion, transmeton Koha.net.

Pas rritjes së numrit të shqiptarëve që i janë bashkuar luftës në Siri e Irak, që nga shtatori i vitit 2014, duke u thirrur në informacionet e organeve të sigurisë, me arsyetimin se puna e tyre nuk përkon me rendin juridik e kushtetues të Kosovës, Ministria e Administratës Publike ka marrë vendim për t’iu pezulluar veprimtarinë e 14 OJQ-ve fetare si: “Al-Waqaf Al Islam”, “AKEA”, “Sinqeriteti”, “Pema e Bamirësisë”, “Gjurma” e organizata të tjera.

Shpërndaje në rrjete sociale