INDEP dhe FES: Mund të krijohen 20 mijë vende të punës në sektorin publik

17:08 | 5 Qershor 2015
M. A.

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) së bashku me Fondacionin Friedrich Ebert (FES) sot mbajtën konferencën për media ku u prezantuan rekomandimet e shtjelluara në kuadër të analizës së shkurtër politike me temë “Papunësia në Kosovë: 3 metoda për krijimin e afro 20,000 vendeve të punës ne sektorin publik”.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, raportohet që niveli i papunësisë në vend për vitin 2014 shënon 35.1%.

Kjo statistikë bëhet edhe më brengosëse kur kuptojmë që në vendin e ‘Evropianëve të Rinj’ rreth 49% e popullsisë së Kosovës janë nën moshën 25 vjeçare dhe niveli i papunësisë për këtë shtresë të shoqërisë arrin në 55.3%. Kjo analizë vjen si përgjigje ndaj nivelit të lartë të papunësisë në vend dhe mungesës së progresit ndër vite në krijimin e mundësive të reja për punësim.

Në fjalën përshëndetëse, Besa Luzha nga FES u shpreh që shpresojnë që me një analizë/rekomandim të tillë do të gjejnë përkrahës që pastaj do të mundësohej realizimi i studimeve dhe diskutimeve edhe më të thella, në mënyrë që masat e propozuara të shndërrohen në një plan të veprimit duke konsideruar edhe përkrahjen nga të gjitha institucionet që të merren masa me radhitje të duhur dhe me ekspertizën/infratsrukturën ligjore që do ta mundësonte implementimin e këtij plani.

Sipas Learta Hollaj, bashkëautore e punimit, Qeveria e Kosovës do të duhet që përfundimisht të vë si prioritet luftimin e papunësisë, një plagë që po e mundon shoqërinë kosovare vit pas viti.
“Andaj, lind nevoja për mobilizim të plotë drejt identifikimit të masave konkrete dhe me impakt të prekshëm, përkundër strategjive apo planeve të përgjithshme që nuk kanë sjell ende rezultate pozitive të prekshme”, ka thënë Hollaj.

Duke parë nevojën për veprim të menjëhershëm nga ana e Qeverisë së Kosovës, INDEP propozon tri masa të cilat do të kontribuonin në drejtim të krijimt të përafërsisht 20,000 vendeve të punës, me fokus në angazhimin e gjeneratave të reja në tregun e punës.

Rekomandimi i parë kërkon që të ulet mosha e pensionit nga 65 në 60 vjeç për sektorin publik. Duke u bazuar në të dhënat e paraqitura dhe duke marrë shkas nga përbërja demografike e Kosovës, lind nevoja për uljen e moshës së pensionit. Bazuar në të dhënat e Trustit Pensional të Kosovës, në vitin 2014, 17,479 punëtorë në institucionet publike ishin mbi moshën 60 vjeçare.

Propozimi i dytë kërkon që të ndalohet punësimi i shumëfishtë në sektorin publik. Sipas AKK, në vitin 2014, 1,555 persona ishin të angazhuar në dy vende pune, 312 në tre sosh, 31 persona mbajnë katër pozita zyrtare, 10 persona kishin 5 vende pune dhe një është i punësuar në 6 vende pune në sektorin publik. me fuqizim të menjëhershëm të një vendimi të tillë, do të hapeshin përafërsisht 2,000 vende.
Dhe së treti u prezantua ideja për krijimin e kredive tatimore. Duke u distancuar nga ideja e stimulimit të bizneseve që krijojnë vende të reja të punës në formë të dhënies së parave të gatshme, INDEP sugjeron që secili biznes që arrin të hap tri vende të reja të punës brenda një viti fiskal, qofshin ato kompani kosovare apo të huaja, të kenë mundësi të zbresin obligimet tatimore vjetore deri në shumën e rrogave të paguara për punëtorët e angazhuar.

Shpërndaje në rrjete sociale