Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave mbushën një vit në grevë

19:44 | 26 Maj 2015
M. A.

Janë mbushur sot plot 365 ditë që kur ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave kanë hyrë në grevë. Por, ata nuk e kanë ndërmend të ndalen edhe sikur të vazhdojë me vite të tëra, derisa kërkesat e tyre të realizohen.

Brenda këtij viti ata kanë kaluar shumë vështirësi, duke filluar nga moti shumë i nxehtë, pastaj moti i acartë i cili ka mbizotëruar në këtë dimër, mungesa e ushqimit të mjaftueshëm herë pas here, mungesa e energjisë elektrike, ujit, sëmundjet të cilat u kanë ardhur nga qëndrimi aty, mungesa e barërave e shumë probleme e telashe të tjera.

Më 27 maj të vitit të kaluar, ish-punëtorët e Fabrikës së tubave patën hyrë në grevë për shkak të mos ekzekutimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për kompensimin financiar në vlerë mbi 25 milionë euro.

Edhe pse ish-kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaci, në atë kohë u pat premtuar që kërkesat e tyre do të realizohen, ato vazhdojnë të mbesin ende të papërmbushura. E gjithë kjo po ndodh për shkak se AGP-ja, e cila duhet të bëjë ekzekutimin e vendimit të Qeverisë, ende nuk e ka të kompletuar bordin.Tani, punëtorët e kësaj Fabrike që një kohë të gjatë janë duke kërkuar krijimin e bordit të AGP-së në mënyrë që procesi i kërkesave të tyre të realizohet më shpejt.

Edhe pse u bë një kohë shumë e gjatë, ata po vazhdojnë t’i mbrojnë të drejtat e tyre, të cilat ua garanton vendimi i Gjykatës Kushtetuese, vendimi i Kuvendit të Republikës Kosovës, ai i Qeverisë së vitit 2014, e madje edhe Gjykata e Strasburgut.

Ahmet Sylejmani i cili është anëtar i Këshillit grevist tregon se si ata e kanë kaluar këtë vit, duke shpjeguar se gjatë gjithë kësaj kohe ata janë duke u munduar të lidhin kontakte me dikë të Qeverisë, por që për ta është e paarritshme.

Ai thotë se ata do të vazhdojnë edhe më tej të kërkojnë të drejtat e tyre në këtë mënyrë, përmes grevës, por në momentin që nuk bëhet një gjë e tillë, ai ka paralajmëruar se do të shumëfishohet numri i grevistëve.

Danush Rashiti, një tjetër grevist, thotë se po qe nevoja grevat do të vazhdojnë edhe për vite të tjera, por ata nuk do të lëshojnë pe.

Greva e ish-punëtorëve të fabrikës së tubave llogaritet si greva më e gjatë që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë. E, në botë greva më e gjatë llogaritet të jetë ajo e shkollës së Brustonit në Britaninë e Madhe, e cila ka zgjatur plot 25 vite, duke filluar në vitin 1914 për të përfunduar në vitin 1939.

Shpërndaje në rrjete sociale