Fjala është për serialin e vrasjeve që kanë ndodhur, siç dyshon prokuroria, mes grupeve që kishin si krerë shtetasit Elton Çica dhe Jani Aliaj. Më shumë se tetë atentate, nga të cilat, veç sulmeve dhe vendosje eksplozivi në makina e grabitje me armë, kanë ndodhur siç dyshon prokuroria mes dy grupeve kriminale.
Dyshimet janë se përplasja e ashpër dhe e përgjakshme ka ndodhur për shkak të konkurrencës për kontrollin e territoreve në kultivimin e trafikimin e kanabisit. Burime të Prokurorisë i shpjeguan dje gazetës “Panorama” se fjala është për informacione operative të siguruara nga Policia Kriminale, sektori i Antidrogës dhe Shërbimi Informativ Shtetëror.
Sipas këtyre burimeve të Prokurorisë, ka dyshime të bazuara në raportin operativ që është hartuar e që po shqyrtohet, por hetimet po vazhdojnë për konfirmimin përfundimtar të këtij dokumenti. Kulmi i përplasjes ishte vrasja e Elton Çiçës më 1 maj 2016, në orën 22:20, në Tiranë.
Pikënisja e serisë së krimeve kishte qenë një ngjarje e ndodhur më 30.03.2015, në qytetin e Tepelenës, ku disa persona të maskuar hyrë në banesën e prindërve të shtetasit Elton Çiça dhe pasi kanë ushtruar dhunë ndaj tyre u kanë vjedhur një sasi prej 5000 eurosh dhe janë larguar.
Nga policia gjyqësore janë identifikuar autorët e kësaj ngjarjeje, të cilët kanë rezultuar të jenë shtetasit Ervis Imeri, Robert Rama, S.J dhe A.J. Pas kësaj ngjarjeje dyshohet se shtetasi Elton Çiça është hakmarrë ndaj personave që dhunuan dhe grabitën prindërit e tij.
