Këta janë emrat potencial për kandidatë në zgjedhjet komunale në Gjilan

23:07 | 29 Janar 2017
Trina Galanxhi

Zgjedhjet komunale 2017 që do të mbahen në muajin tetor sigurisht se do të sjellin shumë zhvillime dhe ndryshime në vend.

Ndërsa disa muaj para se të ndodhë e gjithë kjo, në njërën ndër komunat ku deri në atë muaj do të qeverisë Lidhja Demokratike e Kosovës, tashmë janë duke u përfolur edhe kandidatët e mundshëm.

Si duket partia që vazhdon të qeverisë ka emra të shumtë të cilët ekziston mundësia që të jenë kandidatë potencial të këtyre zgjedhjeve.

Sipas burimeve të Indekosnline, Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, deputeti Fatmir Rexhepi si dhe Kryetarja e Kuvendit të Gjilanit, Valentina Bunjaku-Rexhepi, janë tre nga emrat e mundshëm që do të kandidojnë në këto zgjedhje nga LDK-ja.

Madje deputeti Fatmir Rexhepi në një prononcim për Indeksonline, ka theksuar se është ende herët për diçka të tillë por që nuk i dihet.

Ky i fundit nuk e ka pohuar apo mohuar se mund të ndodhë që emri i tij të jetë ndër kandidatët potencial.

Përpos faktit që është ende herët ai madje nuk ka kundërshtuar pyetjen se a do të ishte i gatshëm që të udhëhiqte me qytetin e Gjilanit.

“Nuk di ende asgjë sepse nuk është asgjë e vendosur. Nuk e di saktësisht se çfarë flitet pasi është ende herët. Kur të vije koha e zgjedhjeve shohim e bëjmë pasi është ende herët”, ka thënë ky i fundit.

Si kandidat i pavarur i kësaj komune theksohet të jetë Faton Bislimi i cili ishte një ndër kandidatët për komunën e Gjilanit në zgjedhjet e vitit 2013.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratikë të Kosovës, Zenun Pajaziti, mbetet njëherë emri i vetëm i mundshëm që do të kandidojë nga radhët e PDK-së, par të parin e Gjilanit.

Ndërsa Rexhep Kadriu nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është emri më i përmendur nga radha e kësaj partie si kandidat i mundshëm për zgjedhjet komunale të qytetit të Gjilanit.

Ky i fundit në një prononcim për Indeksonline, nuk ka mohuar mundësinë e kandidimit të tij në zgjedhjet e ardhshme komunale.

“Nëse marrin vendim organet e partisë që të jem unë kandidat i AAK për kryetar të komunës së Gjilanit unë do hy ne garë për të udhëhequr me Gjilanin ne mandatin e ardhshëm 4 vjeçar”, ka thënë Kadriu.

Po ashtu gjithnjë sipas burimeve të Indeksonline, si emër i mundshëm për të kandiduar në Gjilan në zgjedhjet komunale 2017 nga Lëvizja Vetëvendosje është, Besa Baftiu.

Ndryshe  Baftiu është deputete në Kuvendin e Kosovës, nga Lëvizja Vetëvendosje.

Shpërndaje në rrjete sociale