Idrizi: Komisionin hetimor për çështjen çame askush nuk mund ta pengojë

18:36 | 21 Janar 2017
Trina Galanxhi

Kryetari i PDIU, Shpëthim Idrizi tha se ngritjen e Komisionit Hetimor për çështjen çame askush nuk mund ta pengojë. Idrizi tha se kush nga forcat politike  do të tentojë të pengojë këtë nismë  do të ketë përballë  Shoqatën “Çamëria”

Idrizi: “Kemi marrë një nisëm të fundit, për ngritjen e një komisioni hetimor, për zbardhjen dhe dokumentimin e çështjes së shqiptarëve të Çamërisë. I bëj thirrje forcave politike dhe parlamentarëve, të cilët mendojnë se mund ta pengojnë këtë nisëm, t’ju them që kjo është një nisëm e marrë nga një grup deputetësh legjitim, nga shqiptarë të Çamërisë dhe kjo nisëm do të shkojë deri në fund, tashmë me një dosje parlamentare, detyrim që rrjedh nga rezoluta për shqiptarët Çamërisë. Çdokush që do mendojë të bëjë ndryshe, çdo njeri që do mendojë se do bëhet zëdhënsi i Athinës zyrtare në Shqipëri, padyshim që do të ketë përpara Shoqatën “Çamëria”, gjithë kolegët e mi deputetë, me të cilët unë shpresoj dhe mendoj se janë patriot dhe e duan Shqipërinë. Do të na kenë përballë. Boll kemi dëgjuar deri më sot historira dhe goditje poshtë brezit për PDIU-në apo Shoqatën “Çamëria”. Do të përgjigjemi me të njëjtën monedhë. Çamëria nuk ka çmim, Çamëria ka vetëm drejtësi”

Në fjalën e tij gjatë 26 vjetorit të krijimit të Shoqatës Patriotike Çamëria, Idrizi tha se ka ardhur koha që t’i jepet zgjidhje përfundimtare çështjes së shqiptarëve të çamërisë.

Idrizi: “Kujtojmë dhe vlerësojmë të gjithë kryetarët e Shoqatës “Çamëria”, duke filluar nga i pari Abaz Dojaka, deri te kreu aktual i shoqatës. Sot ne e kemi ngritur vërtetë çështjen çame në majë të malit, por atë mal të madh ne vazhdojmë ta kemi mbi supe, sepse tashmë nuk mjafton vetëm të flasim dhe sensibilizojmë brenda e jashtë Shqipërisë, por tani ka ardhur koha që ne t’i japim zgjidhje përfundimtare, një ndër padrejtësive më të mëdha historike të kombit shqiptar. Sot ju e dini shumë mirë, e ndjeni përditë, që Athina zyrtare apo të gjithë ata që paguhen në Shqipëri prej saj, e kanë vënë në syrin e ciklonit çështjen së shqiptarëve të Çamërisë, apo Partinë Drejtësi, Integrim dhe Untitet. Ky vend miqtë e mi është sot dy pëllëmbë, sepse politikanët shqiptarë gjatë gjithë kohës, një pjesë e tyre, kanë frymuar nga Athina dhe Serbia dhe kur kanë ardhur këtu në Shqipëri, kanë bërë si internacionalistë proletar, kanë bërë si njerëz të dialogut, kanë bërë si njerëz të OKB-së. Ne sot jemi këtu për të garantuar këdo. Ne e dimë forcën tonë, ne dimë rrugën tonë dhe bashkë me Shoqatën “Çamëria”, ne do vazhdojmë të jemi në këtë rrugë deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së shqiptarëve të çamërisë, bashkë me të gjithë shqiptarët”

Në  26-vjetorin e krijimit të kësaj shoqate, mori pjesë kreu i Shoqatës “Çamëria” Abaz Hado, i cili tha se kjo shoqatë po punon çdo ditë në mënyrë që t’i jepet zgjidhje çëshjes çame.

Shpërndaje në rrjete sociale