Nuk u arrit marrëveshja për ndërtimin e shtëpive te “Kroi i Vitakut”

17:50 | 21 Maj 2015
M. A.

Edhe pas më shumë se dy orë bisedime në mes të përfaqësuesve institucionalë dhe banorëve shqiptarë të lagjes ‘Kroi i Vitakut’ në veri të Mitrovicës, nuk ka marrëveshje për vazhdimin e menjëhershëm të rindërtimit të shtëpive të shqiptarëve në atë pjesë të qytetit.

Derisa disa prej banorëve shqiptarë kanë shprehur zhgënjimin e tyre pas një takimi me përfaqësuesit e qeverisë. Kurse zyrtarët nga Qeveria thanë se do të formohet një grup ndërministror ku do të përfaqësohen shqiptarët dhe serbët dhe të fillohet puna e kthimit.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, tha se institucionet përgjegjëse janë të angazhuar maksimalisht për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme dhe pa probleme.

Edhe kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, tha se të gjithë janë duke u angazhuar maksimalisht për zgjidhjen e këtij problemi dhe gjërat janë në rrugë të mbarë.

“Kemi bërë të mundshme që të formohet një grup ndërministror i nivelit të lartë në Qeverinë e Kosovës, në bashkëpunim edhe me dy grupet e komuniteteve, që të bëhet njëherë e përgjithmonë rikthimi i shqiptarëve në pjesën e veriut”, theksoi Bahtiri.

Ai u shpreh i bindur se marrëveshja do të implementohet sepse janë të përfshira institucionet më të larta të vendit.

Në anën tjetër, Nazmi Ismajli, përfaqësues i shqiptarëve të kësaj lagje, u shpreh i zhgënjyer me takimin, duke thënë se marrëveshjen e ka kundërshtuar kategorikisht, por nuk ka pasur mbështetjen e shumicës së banorëve, andaj ajo ka kaluar.

Sipas tij, do të shkojnë muaj të tërë dhe shtëpitë e shqiptarëve nuk do të fillojnë së ndërtuari.

“Është arritur një marrëveshje ku do të formohet një grup ministror bashkë me përfaqësues të lagjes, me bisedu për këto punë. Meqenëse unë e kam kundërshtuar këtë marrëveshje, në fund më mundën me vota… Nuk ka datë, nuk ka muaj të caktuar”, sqaroi Ismajli.

Ndryshe, sot rreth 30 banorë të lagjes “Kroi i Vitakut”, kanë mbajtur një takim me ministrin Jevtiq me kryetarët Rakiq dhe Bahtiri dhe me shefen e administratës në komunën e veriut Adriana Hoxhiq, për të zgjedhur problemin e ndërtimit të shtëpive në këtë lagje.

Qytetarët shqiptarë në atë pjesë po kërkojnë që të mos pengohen në ndërtimin e shtëpive të tyre.

Këtë iniciativë për të biseduar për kthimin e personave të zhvendosur e ka mirëpritur ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.

“Ambasada Britanike në Prishtinë mirëpret iniciativën e përfaqësuesve të lagjes së Kroi të Vitakut në Mitrovicë, për të filluar bisedimet mes komuniteteve serbe dhe shqiptare që synojnë arritjen e një marrëveshje për kthimin e personave të zhvendosur. Gjithkush ka të drejtë të kthehet në vendin e vetë të origjinës. Ne inkurajojmë të gjitha dialogët që kontribuojnë drejt ndërtimit të besimit. Ne nxisim institucionet e qeverisjes vendore dhe qendrore për të kërkuar dhe për të kontribuar në drejtim të krijimit të iniciativave të ngjashme në mbarë Kosovën”, thuhet në një njoftim nga kjo Ambasadë.

Po ashtu ambasada shpreh mirënjohje për Policinë e Kosovës për arrestimin e disa grabitësve në Klinë të cilët cak kishin komunitetin serb në këtë komunë.

Shpërndaje në rrjete sociale