Aksidenti në Laprakës: Burg për të riun që shkaktoi aksidentin ku humbi jetën 28 vjeçarja

16:43 | 7 Janar 2017
Trina Galanxhi

“Arrest me burg” është masa e dhënë nga Gjykata e Tiranës për Ervin Bixhin, i cili shkaktoi aksidentin ku humbi jetën një 28-vjeçare.

Aksidenti në fjalë ndodhi në 5 janar, në zonën e Laprakës dhe sipas policisë, 26 vjeçari nga Tirana po drejtonte mjetin “Jeep” nën ndikimin e alkoolit, kur në rrugën “Dritan Hoxha”, është përplasur me një tjetër automjet tip “Jeep”.

Drejtuesi i këtij mjeti, shtetasi Gj.K., 42 vjeç, banues në Tiranë është me detyrë oficer policie dhe policia e Tiranës thotë se ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

“Si pasojë e kësaj përplasje, ka gjetur vdekjen shtetësja Xh.T., 28 vjeçe, banuese në Tiranë, si dhe ka mbetur e plagosur dhe shtetësja F.F., 25 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. Të dyja ato ndodheshin pasagjere në automjetin e shtetasit Ervin Bixhi”.

Shpërndaje në rrjete sociale