A.B tash e 3 vite udhëton për më shumë se 40 kilometra çdo ditë nga vendi ku jeton, për të arritur në Prishtinë, aty edhe ku punon si ndërtimtar për një kompani private.
Ai së bashku me kolegët e tij përveç kohës së gjatë të udhëtimit, u duhet të punojnë më shumë se dhjet orë në ditë, shpesh herë duke qëndruar në lartësi për orë të tëra.
Gjithë këtë, ai e bënë për të siguruar bukën e gojës për vete dhe 7 anëtarët e tjerë të familjes së tij. Por, ç’është me e keqja, ai gjithë këtë punë e bënë për vetëm 180 euro.
Por sikur këto të mos mjaftonin. A.B ankohet se kushtet në të cilat punojnë janë tejet të rënda dhe se çdo ditë ai dhe shokët e tij rrezikojnë jetën.
“Përveç që nuk kemi kontrata, punojmë me orar të stërzgjatur dhe nuk kemi as pushim si duhet. Shpesh herë lëndohemi dhe gjithë paga na shkon në mjekim, e askush nuk e merr përsipër me i mbulua sigurimet tona shëndetësore. Besa, po e rrezikojmë edhe jete se tone ditën qëndrojmë ne skele, 10 ore a ma shume dhe askujt nuk i intereson nëse na ndodh diçka”, ka thënë ai për Indeksonline.
Se jeta e punëtorëve në sektorin privat është e rrezikuar tregon edhe numri i të vdekurve në vendin e punës.
Në Kosovë, gjatë këtij viti, shtatë punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës, kurse 42 janë lënduar, bëjnë të ditur për Indeksonline, zyrtarë të Inspektoratit të Punës.
Kryeinspektori i Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Basri Ibrahimi , thotë se në shumicën e rasteve këto vdekje shkaktohen nga kushtet jo të mira të punës.
“Vitin e kaluar kanë qenë 8 ndërsa sivjet deri më tash janë 7, por duhet të presim edhe muajin nëntor dhe dhjetor për nxjerr një përfundim të saktë. Ndërsa janë 42 lëndime që janë shkaktuar në vendin e punës. Këtë çështje po e marrim si vetëdijesim të punëdhënësve për raportimin e lëndimeve në vendin punës sepse janë edhe me lëndime më të lehta dhe më të rënda. Ashtu siç e obligon edhe ligji për Shëndet dhe Siguri në Punë, se në qoftes se shkaktohet ndonjë rast në vendin e punës me lëndime dhe vdekje atëherë duhet të informohet inspektorati i Punës.
Por, të dhëna krejt ndryshe për rastet në fjalë, paraqesin përfaqësuesit e punëtorëve.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, (BSPK), për Indeksonline thotë se gjatë kësaj periudhe, në vendin e punës e kanë humbur jetën 11 punëtorë, ndërsa 670 raste që kanë pësuar lëndime trupore.
Ndërsa, sa u përket kushteve ai thotë se janë aq të rënda , sa që kush nuk i she për së afërmi nuk mund t’i merr me mend dhe për këtë ata nuk po kanë mbështetje as nga Inspektorati i Punës e as nga Ministria e Punës.
“Inspektorati i Punës mund të jetë mos i informuar ose ka harruar, por numri i të vdekurve në vendin e punës deri me 20 nëntor të këtij vitit ka arritur në 11. Kryesisht puna më e rrezikshme ekziston në sektorët e ndërtimtarisë, ku punëtorët përveç që nuk kanë pajisje minimale, ata detyrohen të shkojnë në lartësi të mëdha të ambienteve dhe deri më tani kemi 670 raste vetëm në këtë vit fatkeqësisht kanë pësuar lëndime trupore të punëtorit dhe me të dërguar punëdhënësi punëtorin në qendrën spitalore, më përfundon e gjithë procedura e atij punëtori dhe ai shpesh herë ka raste kur punëtorët mbesin gjatë tërë jetës me të meta dhe askush nuk e qajnë më kokën për të”, tha Azemi.
Përderisa kryeinspektori, Ibrahimi njofton se së shpejti do të fillojë edhe zbatimi i një projekti i cili ka për qëllim ndërmarrjen e masave të nevojshme për të pasur një vend të punës sa më të sigurt dhe të shëndetshëm, Azemi thotë sindikata e tij këtë projekt e kanë kërkuar tash e 3 vite, por që ende Ministria e Punës nuk po e sheh të arsyeshme ta financojë një projekt të tillë.
Sidoqoftë, sektori privat në Kosovë është punëdhënësi më i madh. Sipas statistikave të dhëna nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat, paga mesatare në këtë sektorë është 230euro, ndërsa ka punëtorë që ende paguhen me vetëm 120 euro./
E pafat, Kiana Kryeziu del nga shtegu
Reshjet e pandërprera shkaktojnë rritje të lumenjve në Kosov...
Modernizimi i flotës ushtarake, Maqedonci nënshkruan kontrat...
Nëna e ish-presidentit Thaçi mbështet fuqishëm marshin e 17 ...
Plagosja e 18-vjeçares në hotel në Tiranë, arrestohet i dash...
Ish-lojtari i Liverpoolit arrestohet për shkak të një sulmi ...