Zaev: Nuk kthehemi në Parlament pa u larguar Gruevski

18:32 | 13 Maj 2015
M. A.

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev, bëri të ditur se pas gjithë kësaj që ndodhi partia e tij nuk do të kthehet në Parlament. Ai tha se në Parlament, LSDM-ja do të kthehet vetëm pasi kryeministri Gruevski të ketë dhënë dorëheqje.

“Të gjithë e dinë pse opozita është jashtë Parlamentit. Ky Parlament është jolegjitim. Do të kthehemi në shtëpinë ligjvënëse vetëm pasi Gruevski të japë dorëheqje”, deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në pyetjen e gazetarëve pas konferencës për shtyp sot në të cilën publikoi bombën me nr. 31, raporton Zhurnal

Ai tha se dorëheqja e ministrave Jankullovska dhe Janakievski do të hap një proces të ri që finale do të ketë largimin e Gruevskit nga pushteti.

“E vërteta në fund do të del në shesh. Gruevski është problemi. Vetëm me largimin e tij gjendja do të kthehet në normale”, tha Zaev.

Sipas tij, nuk ka asgjë nga bisedimet në Bruksel ndërmjet LSDM-së dhe VMRO-së. “Bisedimet në Bruksel kanë dështuar. Ato bisedime janë ndërprerë”, theksoi kreu Socialdemokrat.

Shpërndaje në rrjete sociale