Shumë dëme nga vërshimet në Gjakovë

20:05 | 8 Nëntor 2016
M. A.

Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar dëme të shumta në qytetin e Gjakovës dhe për pasojë edhe lumi Krena ka dalë nga shtrati.

Banorët ankohen se sa herë që ka reshje, shtëpitë e tyre vërshohen nga uji. Në vendin ngjarjes kanë dalë edhe zyrtarë komunalë.

Lumi Krena sërish ka dalë nga shtrati, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut. Banorët e lagjes së Qabratit, rruga Skënderbeu në Gjakovë, janë shprehur se sa herë që ka reshje të shiut, shtëpitë e tyre vërshohen nga uji.

Ky lum, sipas qytetarëve, bllokohet shumë shpesh, pasi edhe vet e pranojnë se mbeturinat i hedhin në të. E zyrtarët komunalë thonë se këto shtëpi janë të ndërtuara pikërisht te shtrati i lumit dhe rreziku që ato të vërshohen sa herë të bie shi është shumë i madh.

Edhe drejtori Muqaj, por edhe banorët, frikësohen se nëse vazhdon të ketë reshje shiu sikur gjatë ditës së sotme, dalja nga shtrati e lumit Krena do të mund të sjellë edhe më shumë dëme. Por jo vetëm kjo lagje është dëmtuar nga reshjet e sotme të shiut. Zyrtarët komunalë kanë thënë se ende nuk janë evidentuar plotësisht, por dëme janë shënuar edhe në lagjet tjera si dhe fshatrat e Gjakovës.

Shpërndaje në rrjete sociale