Hoxhaj në Holandë kërkon mbështetje për vizat

14:50 | 6 Tetor 2016
M. A.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka takuar homologun e tij në Mbretërinë e Holandës, Bert Koenders.

Kryediplomati kosovare ka njoftuar ministrin holandez me prioritetet e Kosovës në politikën e jashtme, duke e vënë theksin në angazhimin për rritjen e njohjeve të Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit.

Duke e falënderuar ministrin Koenders për përkrahjen e pakursyer të Holandës në shtetndërtimin e Kosovës dhe në procesin e integrimit evropian, Hoxhaj ka theksuar nevojën për thellimin e bashkëpunimin bilateral.

“Në takimin që kisha me ministrin e Punëve të Jashtme të Holandës, biseduam për tri tema kyçe. Së pari, se si ai dhe vendi i tij ta mbështesin Kosovën në liberalizimin e vizave; së dyti, sa herë që Kosova të aplikojë në ndonjë organizatë ndërkombëtare të japë votën pro Kosovës dhe së treti, që të ketë një kaptinë të re të bashkëpunimit përmes organizimit të një forumi të madh të investimeve”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Nga ana tjetër ministri holandez, Bert Koenders, ka shprehur gatishmërinë e shtetit të tij për të vazhduar bashkëpunimin me Kosovën në fusha të ndryshme.

Shpërndaje në rrjete sociale