Pronari legjitim i lokalit kërcënohet me Kanun nga uzurpatori

21:40 | 4 Maj 2015
M. A.

Lavdim Mehmeti, pronar i lokalit të blerë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), dhe Shaban Durmishi, shfrytëzues i lokalit, shkëmbejnë akuza, kërcënime dhe ofendime mes vete në emisionin “Puls”.

Shaban Durmishi, i cili e shfrytëzon lokalin me qira të blerë nga AKP-ja nga Lavdim Mehmeti, nuk pranon ta lëshojë lokalin për shkak se lënda gjendet në dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme.

“Unë, Shaban Durmishi, nuk e lëshoj lokalin sepse unë i paguaj qira z. Hasan Potera, i cili ka kontratë valide mbi qiranë e lokalit afarist mes ndërmarrjes tregtare ‘Gërmia’ dhe Blerim Poterës. Ja ku e kam kontratën dhe është e vërtetuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë. ‘Gërmia’ i ka borxh rreth 31 mijë euro në emër të renovimit të lokalit dhe me komision është nënshkruar. Ky zotëria këtu përball meje ka qenë i dënuar në burg 5 vjet në Angli. Ky person është pjesë e krimit të organizuar dhe vetëm ky e di se si e ka privatizuar. Mua AKP-ja më ka shpallur uzurpator dhe nuk mu ka lejuar të ofertoj, që të marrë pjesë në tender, për blerjen e këtij lokali. Këtë e kanë bërë disa individë nga AKP-ja. Unë e kam paditur AKP-në për tenderin e paligjshëm dhe ky më ka kërcënuar. Unë nuk e kam paditur Lavdimin sepse ky ka bashkëpunuar me ato banda mafioze brenda AKP-së. Pra, kjo lëndë ka të bëjë me pastrim parash, krim të organizuar në këtë rast”, ka thënë Durmishi.

Ai ka kërkuar nga Mehmeti që të tregojë prejardhjen e parave me të cilat e ka blerë lokalin, ndërsa ka theksuar se ai nuk është pronar i lokalit sepse, sipas tij, në mënyrë të kundërligjshme e ka blerë duke dhënë para.

“Pas këtij Lavdim Mehmetit qëndron një person parapolitk me para të ndyra. Le t’i tregojë opinionit kush është ai. Ky njeri përball meje është dënuar me 5 vjet në Angli. Ky është i lidhur me banda mafioze. Ky në emisionin e kaluar na ka shpallur kriminelë, e ka marrë rolin e gjykatësit dhe prokurorit. Unë e kam paditur në gjyq dhe ky është dashur të arrestohet atë natë pas emisionit, javën e kaluar, sepse nuk ka të drejtë ta shpallë dikë kriminel edhe me Kanun do t’më përgjigjesh që më ke shpallur kriminel në emisionin e kaluar. Ky e ka sulmuar fizikisht një person. Aty shihet se çka ka bërë, i ka thyer dyert në lokal”, ka thënë Durmishi.

Tutje, ai ka thënë se Mehmeti, që pretendon të jetë pronari legjitim i lokalit, “me ndërhyrje parapolitike e mafioze, me persona që e kanë kapur shtetin, ka ndërhyrë dhe e ka privatizuar lokalin”.

Ndërkaq, Lavdim Mehmeti, pronar i lokalit të uzurpuar, tregon se është fitues i tenderit për lokalin në Dardani, ndërsa thekson se posedon të gjitha dokumentet dhe kontratat mes AKP-së dhe tij.

“Ju prezantoj kontratat dhe vendimin që unë pronën e kam në emër timin në kadastër, fletën poseduese, pagesën që paguaj tatim në pronë dhe pagesën që ja kam bërë AKP-së. Ky person më ka kërcënuar edhe më herët. Nuk i jep të drejtën që të ma mbajnë lokalin të uzurpuar dhe nuk është hera e parë që më kërcënon dhe kam edhe email që më ka kërcënuar me vdekje. Ja shkresa. Unë e kam raportuar rastin në polici me email dhe për këtë kemi mbajtur disa seanca në vitin 2014. Si pasojë, ky është dënuar me gjobë nga Gjyqtari Naser Foniqi për recidivim e jo për këtë kërcënim, pra, përsëritës i veprës. Ky më ka bërë akuza të rënda në Facebook duke më quajtur drogaxhi dhe mafioz dhe për këtë akuzë të rëndë unë kam bërë kallëzim penal”, ka theksuar Mehmeti.

Mehmeti tha se personat që bien në kundërshtim me ligjin dhe bëjnë vepra penale, janë kriminelë.

Mehmeti foli edhe për prejardhjen e parave, duke thënë se të gjitha ato “janë të vërtetuara”.

Ndërkaq, në lidhje me kërcënimin që Durmishi i bëri gjatë emisionit, Mehmeti tha se “edhe për këtë do bëj kallëzim penal”.

“Unë kërkoj që shteti të ma lirojë lokalin pasi jam pronar legjitim. Unë jam kërcënuar dhe jam sulmuar dhe nuk është më lejuar të hyjë brenda nga Hasan Potera”, ka thënë në fund pronari legjitim i lokalit në lagjen Dardania të Prishtinës.

Shpërndaje në rrjete sociale