U godit 4 herë me thikë, shqiptari ndodhet në gjendje kome

13:39 | 11 Korrik 2016
M. A.

Gjatë orëve të fundit është përkeqësuar gjendja shëndetësore e 18-vjeçarit shqiptar, i cili të dielën e kaluar u godit 4 herë me thikë nga një bandë latino-amerikane në qytetin e Milanos.

Sipas mediave vendase, 18-vjeçari shqiptar gjendet në gjendje kome e gjatë ditëve të fundit gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar.

Ka kaluar një javë dhe ende policia italiane nuk ka identifikuar autorët e këtij krimi. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes kanë bërë të ditur se ngjarja ka nisur ditën e diel në orë 22:00 pranë diskotekës “Lime Light” të Milanos, ku grupi i të rinjve latino-amerikan nuk është lënë të futet në diskotekë.

Ata shtojnë se pak çaste më vonë, në sheshin pranë zonës së diskotekës, kjo bandë ka goditur me thikë në fyt një 21-vjeçar nga Salvadori, por që tashmë është jashtë rrezikut për jetën.

Më pas grupi latino-amerikan ka marrë autobusin me numër 15, në të cilin po udhëtonte dhe 18-vjeçari shqiptar. Shoferi i mjetit publik ka thënë se brenda pak minutash një grindje e dhunshme ka përfshirë të gjithë mjetin e pasi bënë vetëm një stacion, banda është larguar në drejtim të paditur duke lënë të plagosur 18-vjeçarin shqiptar me 4 goditje thike në zemër. Departamenti i Krimit i Policisë Italiane ende nuk ka gjetur autorët e kësaj ngjarje.

Policia italiane ka deklaruar se 18-vjeçari shqiptar ka qenë në shoqërinë e një grupi tjetër miqsh, mes tyre dhe disa latino-amerikanë ndaj të cilëve ka shpërthyer dhe grindja e dhunshme me grupin që ka nisur sherrin.

Mendohet se 18-vjeçari shqiptar ka ndërhyrë për të ndalur sherrin mes latino-amerikanëve e më pas është goditur me thikë./shekulli

Shpërndaje në rrjete sociale