Standard i dyfishtë për veteranët e UÇK-së

20:09 | 26 Prill 2015
M. A.

Është vërtetuar shpesh se ligjet e Kosovës nuk zbatohen njësoj si për qytetarët ashtu edhe për politikanët, raporton KTV.

Rast konkret është moszbatueshmëria e kriterit kryesor të ligjit për verifikimin e veteranëve të luftës. Në ligj përcaktohet se statusi i veteranit i takon vetëm atij personi, i cili ka qenë aktiv deri në përfundimin e luftës.

Shumë politikanë janë pjesë e listës së veteranëve, edhe pse kishin hequr dorë nga lufta para përfundimit të saj.

Më 2 mars të 1999 Adem Demaçi së bashku me Albin Kurtin dhe gjithë stafin e Zyrës së UÇK-së të pakënaqur me shkuarjen e delegacionit të UÇK-së në Rambuje patën dhënë dorëheqje prej të qenit pjesë e saj.

Për njohësit e ligjeve, kjo tregon arbitraritetin, me të cilin po zbatohet jo vetëm ky ligj, por të gjitha ligjet tjera në vend.

E vetmja zonë që nuk e respektoi këtë pjesë të ligjit është ajo e Dukagjinit, ngase Daut Haradinaj ua dha statusin si kontribues të luftës edhe atyre që nuk arritën të jenë aktivë deri në përfundimin e saj.

Njohësit e ligjeve kërkojnë plotësimin dhe amendamentimin e ligjit për Veteranët, pasi nuk është e drejtë të diskriminohen njerëzit në këtë formë.

Shpërndaje në rrjete sociale