Keqtrajtimi i të burgosurve të Kumanovës, ende asnjë hetim

16:38 | 27 Qershor 2016
M. A.

Vazhdon heshtja rreth maltretimit të të akuzuarve në rastin e Kumanovës. Pavarësisht se Avokati i Popullit dhe pala mbrojtëse kërkojnë përgjegjësi nga Ministria e Brendshme, nga ky dikaster nuk japin asnjë sqarim nëse ka filluar hetimi i pjesëtarëve të njësisë speciale të cilët pretendohet se kanë keqtrajtuar të akuzuarit në rastin e Kumanovës.

Heshtja e dikasterit të brendshëm vazhdon pavarësisht se Ministri por edhe zv/ministri i brendshëm prej rreth 10 ditësh paralajmëruan hetimin e çështjes.

Nga Avokati i Popullit ndërkohë theksuan se presin përgjigje edhe nga Prokuroria Publike, për dy procedura që kanë ngritur lidhur me këtë rast.

“Avokati i Popullit si mbrojtës i të drejtave të qytetarëve është duke ndjekur procedurën për rastin e Kumanovës për personat që janë në paraburgim, kemi ngritur dy procedura në Prokurorinë Publike , por deri më tani nuk kemi asnjë përgjigje nga ana e Prokurorisë”, deklaroi Vaska Bajramovska – Mustafa, Zv. avokate e popullit.

Edhe në Prokurorinë Publike heshtje totale rreth procedurës për identifikimin e autorëve që kanë keqtrajtuar të akuzuarit në rastin e Kumanovës. Megjithatë Alsat mëson jozyrtarisht se hetimi nga ana e prokurorisë ka ngecur në marrjen e deklaratave nga ana e të keqtrajtuarve.

Nga fillimi i procesit gjyqësor për ngjarjet në “Lagjen e Trimave” të vitit të kaluar, të akuzuarit janë ankuar se gjatë transportit për në gjykatë keqtrajtohen në mënyrë brutale nga ana e pjesëtarëve të njësisë speciale të policisë./Aslat-M/

Shpërndaje në rrjete sociale