Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka përjashtuar çdo mundësi të ndërtimit të lagjes së ashtuquajtur “Lugina e Diellit” në Komunën e Zveçanit.
Ajo ka deklaruar se një projekt i tillë është përzierje në punët e brendshme të shtetit të Kosovës, i cili nuk do të lejohet. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Tahiri ka paralajmëruar se ky ndërtim do të ndalet me forcën e ligjit. “Nuk do të mund të vazhdojnë. Por, nëse një gjë e tillë ndodh, ne me gjithë forcën e ligjit dhe me masat që e shoqërojnë do ta ndalojmë ndërtimin e kësaj lagje”, ka thënë Tahiri. Ajo ka vlerësuar se projektet e tilla kanë qëllime politike, duke synuar ndryshimin e strukturës së popullsisë në pjesën veriore të vendit.
Veprime të ngjashme, ka thënë Tahiri, janë bërë në kohën e Sllobodan Millosheviqit. “Është për të ardhur keq që Serbia ende po vazhdon me politikat që synojnë ndryshimin e strukturës etnike në komunat veriore, kolonizimet dhe politika të tjera, të cilat ne kategorikisht nuk do t’i lejojmë. Procesi i rikthimit nuk është vetëm për qytetarët serbë, por për të gjithë, edhe për shqiptarët që janë larguar gjatë luftës dhe për komunitetet e tjera. Dihet se për këtë çështje Qeveria e Kosovës e ka Ministrinë për Kthim dhe Komunitete, e cila merret me këtë çështje”, është shprehur Tahiri. Sipas saj, kjo ndërhyrje e radhës e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës është kundër frymës së dialogut të Brukselit.
“Dialogu i Brukselit synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, që nënkupton në radhë të parë respektimin reciprok të sovranitetit të njëra-tjetrës dhe me këtë veprim Serbia ka shkelur marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe marrëveshjet e Brukselit”, ka thënë Tahiri. Ministrja Tahiri ka shprehur përkushtimin e shtetit të Kosovës për kthimin e të gjithë qytetarëve nëpër shtëpitë e tyre.
Seanca e Kuvendit të Zubin Potokut mbahet sot, në rend dite ...
Aksident në Kukës, vetura përplas 49-vjeçaren
Zelensky thotë se data ose vendi i raundit të ardhshëm të bi...
Kurti viziton Odën e Mjekëve të Kosovës
SHBA vlerëson dhe forcon Shërbimin Korrektues të Kosovës
FSK-ja forcohet për tri vende, ushtria e Kosovës këtë vit e ...