Numri i veteranëve tejkaloi parashikimin

Foto : Arsim Namani

08:10 | 2 Qershor 2016
M. A.

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se numri i veteranëve të luftës së UÇK-së ka tejkaluar parashikimet, pasi që në bazë të raportit përfundimtar të komisionit qeveritar, numri i tyre arrin në 46 mijë e 230. Megjithatë, sipas Mustafës, pas rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar mbetet që kjo çështje të rregullohet në të ardhmen. Ai më tej ka thënë se numri i veteranëve tejkalon të gjitha parashikimet dhe qëndrueshmërinë buxhetore.

“Ne do të kemi mjaft çështje që do t’i zgjidhim në të ardhmen sa u përket kompensimeve, sepse numri tejkalon të gjitha parashikimet, tejkalon edhe qëndrueshmërinë buxhetore, por është një çështje, për të cilën ne do të bisedojmë më tutje. Kemi qëndrim të prerë të FMN-së. Por, me rëndësi është të përmbyllet kjo evidencë dhe çështjet të mbesin për t’u trajtuar në të ardhmen. Ne raportin si të tillë e pranojmë, por çështjet mbesin që më tutje të rregullohen”, ka deklaruar Mustafa në mbledhjen e Qeverisë.

Kurse ministri për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Arban Abrashi, ka thënë se bazuar në vendimin e Qeverisë, Komisioni qeveritar ka përfunduar punën për verifikimin e veteranëve luftëtarë dhe numri i tyre është 46 mijë e 230. Qeveria ka miratuar edhe propozim-vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme dhe objekteve të Bankës Themelore të Bankës së Lubjanës në Prishtinë, për nevojat e Qeverisë së Kosovës.

Gjithashtu në këtë mbledhje, ekzekutivi i vendit ka aprovuar projektin për procesin e liberalizimit të vizave dhe të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit që do të realizohet nga Ministria e Integrimit Evropian në bashkëpunim me UNDP-në. Në realizimin e këtij projekti Ministria e Integrimit Evropian do të kontribuojë edhe me mjete financiare.

Pas shqyrtimit, Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme edhe Programin për Komunitete, i cili ka për qëllim ndarjen e subvencioneve dhe transfereve nga buxheti me qëllim të mbështetjes dhe promovimit të të drejtave të të gjitha komuniteteve në Republikën e Kosovës.
Ndërkaq, gjatë një njoftimi në “Facebook”, kryeministri Mustafa tha se përgatitjet për mbledhjen e 3 qershorit mes Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë janë drejt finalizimit. Kryeministri Mustafa ka thënë se në këtë mbledhje, përveç tjerash, është paraparë të nënshkruhen edhe një varg marrëveshjesh në fushën e ekonomisë, administratës publike, mjedisit, energjetikës dhe bashkëpunimit ndërkufitar.

Shpërndaje në rrjete sociale